20:19 / E Martë, 09 Gusht 2022 / AR

​Polonia kërcënon me pasoja nëse BE nuk paguan paratë që i takojnë gjyqësorit

Polonia do të hakmerret kundër Bashkimit Evropian nëse nuk paguan fondet e destinuara për rimëkëmbjen e pandemisë, thanë sot politikanët në pushtet të Polonisë pasi Brukseli sinjalizoi pakënaqësinë e tij me reformat e fundit gjyqësore të Varshavës.

Më shumë se 35 miliardë euro janë vënë në pritje për shkak të një mosmarrëveshjeje midis Brukselit dhe Varshavës mbi një reformë gjyqësore që BE thotë se shkel standardet demokratike.

Komisioni Evropian miratoi fondet për Poloninë në qershor, por kryetarja Ursula von der Leyen tha gjatë vizitës së saj në vend se ka ende punë për të bërë për sundimin e ligjit.

Partia në pushtet Pravo i Pravda (PiS) ka njoftuar se qëllimi i reformës në drejtësi është ta bëjë sistemin më efikas, duke hedhur poshtë se ai ndërhyn në gjykata për arsye politike.

“Nëse do të ketë një përpjekje për të bllokuar pagesën dhe Komisioni Evropian përpiqet të bëjë presion mbi ne, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të nxjerrim të gjitha armët nga arsenali ynë dhe të përgjigjemi me një breshëri zjarri,” tha Krzysztof Sobolewski për radion polake.

Megjithatë, ai nuk ka specifikuar se çfarë ka dashur konkretisht. Refuzimi i Varshavës për të pranuar kërkesat evropiane për gjyqësorin ka nxitur kritikat e opozitës, se PiS në të vërtetë dëshiron të nxjerrë Poloninë nga Bashkimi Evropian, gjë që qeveria e refuzon.