Prekaz: Nis marshi me motoçikleta drejt Hagës

Bluzat me mbishkrimin “Liria ka emër” i veshën, e edhe motoçikletat i kishin bërë gati për të nisur marshin drejt Hagës.
Motoristët nga Kosova, rrugëtimin drejt qytetit holandez, vendosën ta nisin nga Prekazi historik, duke bërë homazhe te varret e familjes Jashari.
Rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Evropës, në kuadër të platformës “Liria ka emër”, po nisin marshin drejt Hagës me motoçikleta, me thirrjen e vetme për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli, tha se përmes parakalimit me motoristë në Hagë kërkohet drejtësi.
“Është një marsh simbolik qysh është një thirrje për drejtësi. Qëllimi është që të arrijmë deri në Hagë, atje ta bëjmë një parakalim të motoristëve, pastaj të vazhdojmë në Bruksel, ku kemi përgatitur një kërkesë që drejtësia të jetë transparente”, tha ai.
Bashkëluftëtari, Nasim Haradinaj, tha se ky marsh simbolik është thirrje për drejtësi dhe kërkesë qe procesi gjyqësor në Hagë të përfundojë sa më shpejt dhe të jetë i drejtë.
“Do të bëjmë vetëm një thirrje – për drejtësi, dhe tjetra – që sa më shpejt proceset të kryhen drejt. Ne nuk duam të ndikojmë në drejtësi por duam të themi se kjo drejtësi nuk po monitorohet. Prandaj, kjo le të jetë thirrje edhe për ndërkombëtarët, por edhe për qeveritarë dhe gjithë ata njerëz që mendojnë që drejtësia është vlera kryesore. Dhe nëse drejtësia është vlera kryesore, liderët tanë, të gjithë shokët që janë në Hagë, do të na kthehen të pafajshëm. Ajo është fitore për ne dhe fitore më e madhe për Kosovën”, tha ai.
Haradinaj tregoi edhe gjithë rrugëtimin që do ta bëjnë drejt Hagës, bashkë me motoristët.
“Prej këtu shkojmë në Poklek, pastaj Gllogjan e Deçan. Nga Gllogjani do të shkojmë në Koshare, nga Kosharja në Mejë, te masakra e madhe që është bërë atje, të jetë edhe simbol për evropianët, se nganjëherë si duket i kanë harruar masakrat. Nga aty, në Landovicë, meqenëse aty do të kthehet rruga për në Morinë, për në Durrës ku do të jetë trageti dhe në Ankon. Pastaj në Cyrih, ku do të mblidhen motoristë shqiptarë nga Italia, Gjermania, Austria, dhe nga Duseldorfi do të shkojmë në Hagë dhe në Bruksel”, tha ai.
Për t’u dalë në mbështetje ish-krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë, më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë gjithëkombëtare.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.
Më 3 prill të vitit 2023 në Hagë nisi procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë në paraburgim nga nëntori i 2020-tës, nën akuzat për krime lufte.