22:13 / E Diele, 29 Prill 2018 / indeksADMonline

​Presidenti Meta pret në darkë zyrtare Patriarkun rus Kirill

Harmonia, respekti i ndërsjellë, toleranca, mirëkuptimi, vlerësimi reciprok dhe solidariteti janë tiparet e raporteve mes besimeve fetare në Shqipëri dhe ruajtja e besimit fetar ka kaluar nëpër një kalvar të gjatë përpjekjesh dhe sakrificash.

Kështu ka deklaruar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një darke zyrtare që shtroi për nder të Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë, Shenjtërisë së Tij Kirill, me rastin e vizitës historike në Shqipëri.Presidenti Meta me këtë rast ka thënë se vizita e Patriarkut Kirill përkon me 97-vjetorin e shpalljes së autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë si dhe me 81-vjetorin e njohjes kanonike të saj në prill të vitit 1937, thuhet në komunikatën për media të Presidencës së Shqipërisë.

Duke përkujtuar se kjo kohë e errët e historisë së besimit në Shqipëri mori fund në vitin 1990, me ndryshimet demokratike, kreu i shtetit shqiptar ka shprehur mirënjohjen për të gjithë prijësit e bashkësive fetare për misionin  hyjnor, në funksion të përhapjes së fjalëve të Zotit dhe mësimeve të shenjta.

“Harmonia, respekti i ndërsjellë, toleranca, mirëkuptimi, vlerësimi reciprok dhe solidariteti janë tiparet e raporteve mes besimeve fetare në Shqipëri dhe ruajtja e besimit fetar ka kaluar nëpër një kalvar të gjatë përpjekjesh dhe sakrificash. Shumë nga klerikët u burgosën, u internuan ose u martirizuan nga regjimi më i ashpër komunist i kohës.

Me qindra objekte të kultit u rrafshuan e u rrënuan si dhe klerikët e udhëheqësit shpirtërorë të bashkësive fetare, u persekutuan pa mëshirë”, tha presidenti Meta.

Ai tha se gjuha e urrejtjes, terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, konfliktet dhe luftërat me pasoja të rënda humanitare janë sot rreziku më i madh për njerëzimin, ndërsa porositi se feja nuk duhet përdorur në shërbim të qëllimeve të dhunshme, por të jetë në shërbim të paqes, dashurisë dhe harmonisë.

Ndërsa patriarku i Moskës dhe Gjithë Rusisë, Shenjtëria e Tij Kirill tha se kishat ortodokse të Rusisë dhe Shqipërisë kanë tradita shumëvjeçare të marrëdhënieve më të mira, ndërsa popullit shqiptar i uroi paqe dhe begati.

Ndryshe, Vladimir Mikhailovich Gundyayev është emri laik i Kirilit, patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë, një figurë mjaft e njohur jo vetëm brenda Rusisë dhe e lakuar shpesh nga mediat për kontradiktat që ai ka krijuar. Kirili u lind në nëntor 1946, në një familje fetare dhe në të njëzetat u angazhua në jetën e kishës duke ngjitur shkallët e hierarkisë së saj, por vetëm pas viteve ‘90 do të ngrihej fama e tij. Para se të bëhej patriark në shkurt 2009, Kirili shërbeu si arqipeshk dhe më vonë Metropolit i Smolenskut dhe Kalinigradit, si edhe kryetar i departamentit të kishës ortodokse për lidhjet e kishës me jashtë. Në këtë post Kirili shkaktoi edhe polemikat e para, pasi mori nofkën “Metropoliti i duhanit” dhe u akuzua nga mediat se kishte fituar miliona duke shfrytëzuar të drejtën që ju dha kishës për të importuar cigare pa taksa në vitet ‘90, asgjë e provuar deri më sot.

Kirili u përball ashpër me krahun konservator të Kishës ortodokse ruse që e akuzuan se po afrohej me kishën katolike, megjithatë në 2016-n ai u bë patriarku i parë i kishës ruse që u takua me një papë, pikërisht Papën Françesku.

Në çështjet kulturore dhe sociale, kisha nën drejtimin e Kirilit ka bashkëpunuar shumë me shtetin rus të Vladimir Putin dhe Kirili ka mbështetur zgjerimin e fuqisë ruse në Krime dhe Ukrainën lindore. Një nga komentet më të njohura të Kirili është ai për të drejtat e njeriut, të cilat i cilësoi herezi dhe në kundërshtim me Biblën, megjithëse nuk sqaroi se cilat të drejta të njeriut ai kundërshtonte.