Presidentja Osmani kujton vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën me një thënie të Jusufit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 40 vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, ka kujtuar ata duke postuar edhe një thënie të Jusuf Gërvallës.
“Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njërin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjete!”, është thënja e Gërvallës, të cilën e ka shpërndarë Presidentja.
Më 17 janari 1982 u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Atentati mbi vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë.
Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.
Atentati ka ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit.
Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.