14:40 / E Martë, 06 Shtator 2022 / LB

​Prokuroria konfirmon: Martin Berishaj është duke u hetuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë në fillim të këtij muaji ka marrë vendimin për nisjen e hetimeve ndaj ambasadorit në Kroaci, Martin Berishajt. Një gjë të tillë ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, e cila tha se është pranuar kallëzimi penal nga Prokurori i Shtetit.

Ajo tha se me fillim të këtij muaji kanë nisur hetimet për këtë rast për mosdeklarim të pasurisë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzimin penal nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, fillimisht është adresuar aty. Dhe më pastaj është proceduar tutje nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Rasti ka qenë në shqyrtim nga ana e Prokurorit të Shtetit. Dhe gjatë këtij muaji, në fillim të këtij muaji, ka marrë vendim për fillim të hetimeve dhe është duke u hetuar”, ka konfirmuar Ulaj.

Agjencia Kundër Korrupsion, javë më parë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ai dyshohej për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë, duke mos deklaruar aksionet në kompaninë e tij.