Prokuroria trajtoi mbi 1,100 raste korrupsioni në vitin 2025
Prokurori i Shtetit ka trajtuar gjatë vitit 2025 gjithsej 1 mijë e 191 raste të korrupsionit, nga të cilat ka arritur të zgjidhë 903 raste, u bë e ditur në raportin vjetor të prezantuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës, Qalaj prezantoi raportin vjetor për vitin 2025.
“Gjatë vitit 2025 prokurori i shtetit ka pranuar në punë 45 mijë e 295 apo 60.20 përqind, kallëzime penale, ka arritur t’i zgjidhë 42 mijë e 123 kallëzime ose 55.98 përqind. kanë mbetur të pazgjidhura edhe 33 mijë e 117.. Departamentet e krimeve të rënda, prokuroria themelore ka nxjerrë kallëzime penale 3 mijë e 693, më shumë sesa kanë pranuar. Departamenti për të mitur ka zgjidhur 2 mijë e 430, 15.89 përqind kallëzime më pak sesa kanë pranuar në punë. Ndërkaq, departamentet e përgjithshme kanë zgjidhur 23 mijë e 642, 2 mijë e 541 më pak sesa kanë pranuar në punë. Prokurori i shtetit i ka kushtuar rëndësi procedurave alternative, me kryes të njohur ka zgjedhur 3 mijë e 525 raste. Lidhur me rastet e korrupsionit në 2025 ka pranuar në punë 1 mijë 191 raste, ka zgjidhur 903 raste”, tha ai.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025, Prokurori i Shtetit ka trajtuar edhe raste të korrupsionit, krimeve ekonomike, krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunës në familje.
“Në anën tjetër, për rastet e krimeve ekonomike 484 raste me 654 persona, janë zgjidhur 420 raste. Gjatë 2025 janë sekuestruar 64 milionë dhe 543 mijë e 296.94 pasuri janë konfiskuar. Për krime të organizuara, Prokurori i Shtetit ka pasur 102 raste me 500 persona, si dhe ka pranuar 25 raste të reja me 119 persona, janë zgjidhur 18 raste, të pazgjidhura 83 raste. Janë zgjidhur edhe 28 raste të terrorizmit. I ka trajtuar me prioritet rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, ku prokurori kishte në punë 75 raste me 153 persona, prej tyre janë zgjidhur 25 raste me 71 persona, kanë mbetur 50 raste. Të dhunës në familje, kanë qenë 3 mijë e 975 raste. Me aktakuzë dhe propozim për shqiptimin e masave, janë zgjidhur 80.92 përqind persona lidhur me aktakuzat e ngritura nga Prokurori i Shtetit, gjatë kësaj periudhe, gjykatat kanë vendosur për 2 mijë e 337 raste, nga të cilat 1 mijë e 930 raste janë vendime fajësuese”, tha ai.
Në raport u theksua se Prokurori i Shtetit i ka kushtuar rëndësi edhe procedurave alternative, ndërsa në rastet me kryes të njohur janë zgjidhur 3 mijë e 525 raste.

