16:21 / E Enjte, 22 Tetor 2020 / Blerim

​Promovohet pulla postare “Heroinat e Kosovës”

Êshtë vënë n ë qarkullim pulla e re postare e titulluar “Heroinat e Kosovës”. Kjo po i dedikohet sakrificës dhe guximit të grave të Kosovës të cilat dhanë kontributin e tyre për liri. Kjo pullë postare po i kushtohet edhe 20 mijë viktimave të dhunës seksuale, ku sakrifica e tyre po pasqyrohet në vepër artistike të përshtatur në pikturën e kësaj pulle.

Pranë “Këndit të Kurajës” në objektin e Kuvendit të Kosovës, të enjten u promovua pulla postare “Heroinat e Kosovës”. Kryeparlamentarja Vjosa Osmani theksoi se pak përmendet kontributi i grave, pavarësisht sakrificës së tyre. Për këtë, ajo tha se është e rëndësishme që të nderohet guximi i çdo gruaje kosovare.

“Është me rëndësi për ne që Kuvendi i Kosovës të jetë vendi i të gjithëve, vendi i hapur për të gjitha aktivitetet të cilat përfaqësojnë qytetarët e Kosovës, por mbi të gjitha që ndër imazhet kryesore të këtij vendi, të jetë imazhi që e kanë ndërtuar heroinat tona. Prandaj edhe idetë tona kësaj radhe janë përputhur në plotëni me ato të Postës së Kosovës. Sepse ju e keni parë përgjatë historisë që pullat postare i janë kushtuar figurave të rëndësishme nacionale e historike të vendit tonë.”, theksoi Osmani.

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, Vjollca Shala-Mulaj theksoi se Posta e Kosovës tash e 20 vjet promovon pulla postare për personalitete të ndryshme, por që sipas saj, kjo e fundit është shumë e veçantë.

“Mishëron sakrificën dhe njëherësh krenarinë e gruas shqiptare nëpër shekuj, sidomos vuajtjet biblike të shumë vajzave dhe nënave që përjetuan tmerrin e dhunimit. Nuk duhet të harrojmë humanizmin e nënës Terezë, e cila nga një vajzë e vogël nga Kosova u bë nëna e gjithë botës. Po ashtu sakrificën dhe guximin e Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila u shndërrua në model të forcës dhe guximit për të gjitha ne.”, ka thënë  ajo.

Triumfin dhe sakrificën e grave të Kosovës e pasqyron në vepër artistike autori Leotrim Ademi, të përshtatur në pullën postare “Heroinat e Kosovës”.