21:53 / E Hënë, 04 Korrik 2022 / AR

​Propozimi francez, paralajmërohen protesta tjera në Shkup

Në ditën e tretë të protestës, qytetarët protestuan sonte para Qeverisë në Shkup kundër propozimit francez.

Pas mbarimit të protestës para qeverisë, qytetarët në vend që të shpërndaheshin, ata iu drejtuan parlamentit.

Protestuesit i rrëzuan mbrojtëset metalike, ndërsa në drejtim të kordonit të njësitit special afër dyerve të parlamentin, protestuesit gjuajtën me sende të ndryshme.

Ndërkohë që nuk mungonin as thirrjet për dorëheqje, të shoqëruara me këngë patriotike e me thirrjen “Ultimatum- Jo, faleminderit”.

Për nesër u paralajmëruan protesta tjera, pasi sipas opozitës pritet të futet në qeveri propozimi francez, raporton AlsatM.

Ndryshe, përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Në dokument thuhet se “lidhur me përkthimet e legjislacionit të Bashkimit Evropian, BE-ja nënvizon deklaratat e përshtatshme të njëanshme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për sa i përket gjuhës maqedonase”.

Në këtë dokument gjithashtu theksohet se në procesin e zgjerimit të BE-së, thelbësor mbetet bashkëpunimi rajonal dhe raportet ndërfqinjësore.

“Ia rikujtojmë rëndësinë e rezultateve të prekshme dhe zbatimin e marrëveshjeve bilaterale, përfshirë këtu dhe Marrëveshjen e Prespës, si dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka thënë se propozimi francez në formë ideje paraqet një bazë të mirë për kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes.

Ndërsa, partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE ka thënë se propozimi francez nuk duhet të kalojë, pasi “Maqedonia e Veriut me këtë propozim del si palë e nënshtruar dhe nuk do të arrijë qëllimin për anëtarësim në BE”.