08:06 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

​Protestë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Sot në sheshet e kryeqytetit marsh protestues në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Marshi protestues është organizuar nga organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe do të nis nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek sheshi “Skënderbeu”.“Për shumë vite kërkuam njohje ligjore dhe qasje në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa pikërisht tani kur ka filluar njohja e statusit ligjor të tyre, rrënohet gjithçka, duke tentuar të manipulohet me dhimbjen dhe plagët që bartin të mbijetuarit dhe familjarët e tyre.

Shumë të mbijetuar dhe familjarë të tyre janë në ankth nga paraqitja e atyre imazheve neveritëse, sidomos kur paraqitja e tyre është bërë nga një deputete e Kuvendit të Kosovës dhe aktiviste e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e këtyre organizatave.              

Duke marrë parasysh faktin se të mbijetuarit e dhunës seksuale nuk munden të dalin hapur në këtë marsh, organizatat kanë ftuar të gjithë që t’ju bashkëngjiten në marshin protestues duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit si dhe solidarizim dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Organizatat që janë mbrapa këtij marshi janë Qendra Kosovare për rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Rrjeti i Grave të Kosovës, Medika Kosova, Medika Gjakova, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas dhe Shoqata Drejtësi për të Gjithë.