15:48 / E Hënë, 10 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Protestojnë ata që deshën të punësohen në Trepçë, thonë se u bënë padrejtësi

Më shumë se 100 persona kanë protestuar sot para objektit të menaxhmentit të ndërmarrjes Trepça në Mitrovicë, duke shprehur kështu pakënaqësitë e tyre me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje.

Sipas tyre, ata mbetën jashtë listave të të pranuarve për shkak të dallavereve dhe pasi nuk kishin krah të fortë, ndërsa kërkuan shkarkimin e drejtorit, bordit dhe anulimin e konkursit.

Protestuesit bllokuan për disa minuta rrugën, duke pamundësuar kështu qarkullimin e automjeteve nga drejtimi i Prishtinës dhe Stantërgut për në qendër të qytetit të Mitrovicës, ndërsa pati edhe tensione mes tyre dhe pjesëtarëve të policisë, në përpjekje për të hyrë me forcë në objektin ku ndodhet menaxhmenti i kësaj ndërmarrje.

Përparim Mustafa, banor i veriut të Mitrovicës, njëri prej atyre që kishin konkuruar për punësim, tha se gjatë konkurimit ka pasur shumë dallaver e dhe ai s’ka mundur të pranohet për shkak se nuk ka pasur krah të fortë.

“Babai më ka punuar në minierë 19 vite dhe është i sëmurë. Kam aplikuar për herë të tretë dhe nuk më kanë marrë parasysh, sepse nuk kam krah, s’po ka kush me më ndihmu. Jam i veriut, jemi 12 anëtarë dhe nuk kemi kurrfarë të ardhurash…Po ka shumë dallavere, që tre herë janë duke më gënjyer, krejt me dallavere janë duke shkuar këtu punët”, tha Mustafa.

Edhe Agim Beqiri, ish punëtor i Trepçës, ka bërë të ditur se konkursi që është shpallur është shpallur me dallavere prej ditës së parë.

“Këta djemë dhe burra që kanë dalë me protestu kanë plotësisht të drejtë. Konkursi që është shpallur është shpallur me dallavere prej ditës së parë”.

Ndërkaq, pas takimit rreth 40 minutësh të disa protestuesve me menaxherin e Trepçës, në përpjek je për ta zgjidhur problemin, Arsim Musa nga këshilli protestues, ka thënë para gazetarëve se nuk është arritur ndonjë marrëveshje dhe se protesta do të vazhdojë edhe ditët në vijim.

Sipas tij, kërkesat kryesore të protestuesve që u janë thënë menaxherit gjatë këtij takimi janë, shkarkimi i bordit, menaxherit dhe anulimi i konkursit.

Ai potencoi se në rast të eskalimit të protestave gjatë ditëve në vijim, përgjegjësia bie mbi menaxhmentin e kësaj ndërmarrje.

“Ne i kërkuam drejtorit tre gjëra, shkarkimin e bordit, shkarkimin e vetvetes dhe anulimin e konkursit që ka dalë që dy ditë. Ne kemi këto tre pika, çkado që diskutojmë më shumë, mundemi veç me u vonu, sepse kthim nuk ka. Prej sodit protesta vazhdon dhe ne nuk marrim asnjë përgjegjësi. Mundet me eskalu situata, me u blloku prodhimi, rruga, dhe munden me pësu shumë njerëz. Jo nuk na tha asgjë, shikojmë hulumtojmë, shpresojmë, as e anulojmë konkursin as s’e anulojmë”, theksoi Musa.

Në anën tjetër, menaxheri i Trepçës, Basri Ibrahimi, ka bërë të ditur se të gjitha procedurat e rekrutimit kanë qenë në përputhje me rregullativën juridike dhe janë pranuar personat për të cilët komisioni ka vlerësuar se kanë qenë më të mirët.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë sociale që mbretëron në regjionin e Mitrovicës dhe në Shalë, duke thënë se secili që është pranuar e ka merituar në këtë aspekt.

“Procedura e rekrutimit ka shkuar plotësisht në përputhje me rregullativën juridike. Janë seleksionuar ata të cilët komisioni ka vlerësuar që janë më të mirët…Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për gjendjen çfarë është sot në regjionin e Mitrovicës dhe në Shalë, por ka shumë proble me sociale, sepse çdonjëri që është pranuar e ka merituar. Mirëpo, edhe njerëz të tjerë që kanë mbetur jashtë, sigurisht që kanë pasur nevojë për t’u punësuar…Thuhet se është anashkaluar Shala, por nuk mund të themi fare për një gjë të tillë, sepse nuk është anashkaluar askush”, tha ai.

Ndryshe, në procesin e punësimit në këtë ndërmarrje kanë aplikuar mbi 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve janë pranuar 144, ndërsa sipas drejtorit Ibrahimi, ditët në vijim pritet të punësohen edhe rreth 100 persona tjerë.