75 Mall Live Search
15:50 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

​Protestojnë punëtorët teknik dhe të sigurimit fizik në shëndetësi, paralajmërojnë radikalizim të masave

Për një orë kanë protestuar punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik që punojnë në QKUK, Qendrën e Mjekësisë̈ Familjare dhe Ambulancat. Këta punëtorë protestuan pasi nuk u përfshinë në pagat shtesë prej 300 eurosh për korrik dhe gusht. Ata kanë paralajmëruar bojkotim të punës nëse nuk i marrin shtesat për këta dy muaj .

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azem tha se përmes kësaj protestë kërkojnë që të jenë të përfshirë në listën për stimulime për punëtorët që janë të rrezikuar nga pandemia.

Ai tha se punëtorët teknik dhe ata të sigurimit që punojnë në institucionet shëndetësore janë të rrezikuar edhe më shumë se mjekët.

Azemi paralajmëroi përshkallëzim të masave nëse edhe dy javë nuk reagon qeveria karshi kërkesave të tyre.

“Këta punëtorë me të drejtë kërkojnë që të jenë pjesë e listës së stimulimit, sikurse mjekët sepse ne si Sindikatë e kemi argumentuar se ndoshta patjetër më të rrezikuar janë punëtorët Teknik sesa mjekët. Ne konsiderojmë se edhe mjekët duhet ta kenë ende më të lartë, por megjithatë mjeku asnjëherë nuk hynë në dhomën e pacientit për ta vizituar punëtori teknik, pa e pastruar ambientin dhe në njëfarë forme në rend të parë janë të rrezikuar punëtorët teknik dhe punëtorët e sigurimit..Me këto protesta për të cilat sot është vetëm simbolike dhe dhashë zoti që institucionet tona mos të na fusin në një kaos sepse për shëndetin tonë ne japim gjithçka, por edhe të tjerët duhet të japin për ne dhe jemi të diskriminuar.. Nëse nuk shkojnë çështjet ashtu siç duhet shkuar ne pas dy javë do jemi ata të cilët me mjetet tona do i radikalizojmë çështjet tona”, theksoi Azemi.

Emine Sahiti, punëtore teknike tha se edhe këta punëtorë janë të rrezikuar pasi që puna e tyre është e tillë dhe nuk kanë zgjidhje tjetër.

Sahiti tha se përkundër rrezikuar ata janë anashkaluar sikurse mos të jenë njerëz.

“Motra ose doktori i ka dorezat në tavolinë dhe i ndërron sa herë të dojë kurse ne jemi të obliguar t’i kryejmë të gjitha që t’ua bëjmë ambientin me dezinfektua me të gjitha. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë vetëm me ka trajtuar sikur njerëz edhe jeta jonë është e njëjtë edhe sikurse e atyre që janë infermierë dhe të tjerë. …Kur vjen puna për stimulim ne anashkalohemi sikurse nuk jemi njerëz fare”, tha ajo.

Pjesëmarrës në këtë protestë ishte edhe Adem Borovci, i cili është edhe përfaqësues i të gjithë punëtorëve të sigurimit në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Ai tha se qeveria me largimin e kësaj kategorie të punëtorëve nga lista e stimulimeve ka bërë një veprim absurd.

Ai tha se nëse nuk reflekton qeveria do e bojkotojnë punën.

“Ne kësaj radhe jemi të anashkaluar nga qeveria dhe ky anashkalim që e ka bërë qeveria është anashkalim ndaj gjithë punëtorëve . Ne muajin prill dhe maj kemi qenë në listë dhe kemi përfituar prej kësaj ndërsa kësaj radhe na kanë larguar nga lista dhe kjo është absurd çka ka bërë qeveria. Edhe pse intensiteti i virusit ka qenë shumë më i madh në prill dhe maj ata duhet me dhënë përgjegjësi për këtë që e kanë bërë…Nëse nuk ka asgjë duhet me bojkotua punën tjetër zgjidhje nuk kemi” , u shpreh Borovci.

Kujtojmë që edhe të hënën për shkak të mos marrjes së shtesave 300 euro për muajin korrik dhe gusht kanë protestuar punëtorët teknik, higjienistët dhe sigurimi teknik i komunës së Podujevës.