Raka del me argumente për dhe kundër hapjes së shkollave në kohë pandemie

Mikrobiologu Lul Raka është deklaruar në lidhje me paralajmërimet për hapjen e shkollave për një pjesë të nxënësve në vitin e ri shkollor.
Ai në një postim në Facebook ka treguar parimet themelore në kontekstin e hapjes së shkollave dhe argumentet pro dhe kundër hapjes së shkollave, në kohën kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19 dhe numri i rasteve të reja vazhdon të jetë i lartë.
“Numri i madh i rasteve në komunitet. Kosova nëse ka 200 raste në ditë, kjo përafërsisht është 12 raste në 100.000 banorë. Kjo shifër është e lartë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Rikthimi i nxënësve në shkolla pas pandemisë mbetet një prej prioriteteve më të mëdha të shoqërive kudo në botë. Në shumë vende shkollat fillore janë konsideruar si shërbime esenciale të shoqërisë, madje edhe nëse ka një përhapje të moderuar të COVID-19 (<10 raste në 100.000 banorë).
Parimet
themelore në kontekstin e hapjes së shkollave:
• Numri i rasteve të sëmundjes, hospitalizimit dhe vdekjeve është më i ulëti te
fëmijët
• Fëmijët kanë kryesisht infeksion të lehtë klinik ose janë pa simptoma fare.
• Sasia e virusit e gjetur te fëmijët simptomatikë është e afërt me atë të të
rriturve. Por, kjo nuk nënkupton doemos infekciozitetin e njëjtë.
• Deri sot, shumë pak shpërthime janë identifikuar nëpër shkollat e Evropës,
përfshirë Suedinë dhe Islandën, të cilat nuk i kanë mbyllur asnjëherë shkollat
fillore. Të vetmet raste janë raportuar në Izrael.
• Transmetimi i infeksionit ndërmjet fëmijëve në shkolla është i rrallë dhe nuk
është shkaku kryesor i infeksionit SARS-CoV-2 tek fëmijët
• Shkalla e përhapjes nëpër shkolla nuk dallon nga ambientet e tjera
profesionale ose mjediset me dendësi të ngjashme të njerëzve.
• Nga dëshmitë në shumë vende të Evropës, konstatohet se rihapja e shkollave
nuk ka pasur rritje të përhapjes së virusit në komunitet.
ARGUMENTET
PËR HAPJEN E SHKOLLAVE
• Mbyllja e shkollave i privon fëmijët dhe të rinjtë nga mundësitë për rritje
dhe zhvillim.
• Fëmijët e moshës 2-10 vjeç mësojnë shumëçka nga bashkëmoshatarët e tyre dhe
kanë një ndikim pozitiv në zhvillimin e personalitetit të tyre dhe ndjenjën e
identitetit, ndërsa ndërprerjet e marrëdhënieve të tilla të afërta shoqërohen
me depresion, ndjenjë të fajësisë dhe zemërim te fëmijët.
• Aktivitetet shkollore dhe jashtëshkollore ofrojnë strukturë, kuptim dhe ritëm
të përditshëm për fëmijë dhe të rinj.
• Fëmijët me aftësi të kufizuara mund të preken veçanërisht pasi mund të ndjehen
më të izoluar
• Fëmijët që jetojnë në kushte të pasigurta janë përballur me më shumë
vështirësi me mësimin online, si për shkak të varfërisë digjitale dhe
vështirësive për prindërit që mund të ndihmojnë në procesin e të mësuarit.
• Rrethanat ekonomike mund të rrezikojnë kthimin në shkollë për fëmijë dhe të
rinj që janë nën presion për të punuar dhe për të siguruar bukën për familjet e
tyre të varfra.
• Për shumë studentë që jetojnë në varfëri, shkollat nuk janë vetëm një vend
për të mësuar, por edhe për ushqim të shëndetshëm.
• Fëmijët kanë rrezik më të madh të dhunës në familje gjatë mbylljes së
shkollës.
• Me mbylljen e shkollave, fëmijët nuk kanë më një rrjet të sigurisë që mund të
zbulojë dhe raportojë abuzimin e fëmijëve,
ARGUMENTET
KUNDËR HAPJES SË SHKOLLAVE
• Numri i madh i rasteve në komunitet. Kosova nëse ka 200 raste në ditë, kjo
përafërsisht është 12 raste në 100.000 banorë. Kjo shifër është e lartë!
• Mungesa e testimit në komunitet
Vendimi përfundimtar duhet të merr parasysh gjithë faktorët e përmendur.
Rekomandimi
i Bordit Këshillëdhënës AntiCovid-19:
• Parashkollorët dhe nxënësit deri në klasën e pestë të vijojnë mësimin në
shkolla.
• Në zonat rurale dhe atje ku ka kushte dhe hapësira, mund të organizohet
mësimi edhe me vitet e tjera, gjithnjë duke respektuar masat e MSh dhe të
IKSHPK.
• Të hapen shkollat profesionale për mbajtjen e lëndëve profesionale dhe atyre
praktike.
• Në Fakultetin e Mjekësisë, ligjëratat të mbahen online, kurse ushtrimet të
mbahen nëpër klinika dhe institute të SHSKUK dhe IKSHPK. Të merret në
konsideratë edhe ndihma e absolventëve të FM në përballje me COVID-19.
ECDC.EUROPA.EU
www.ecdc.europa.eu