75 Mall Live Search
17:59 / E Mërkurë, 12 Tetor 2022 / LB

​Rama në KiE: Miratimi i raportit të Marty-t ka qenë gabim tragjik

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku po kërkoi rishikim të rezolutës 1782 të viti 2011 ose atë që njihet ndryshe si raport i Dick Martyt, tha se para të pranishëm miratimi i raportit të Marty-t ka qenë gabim tragjik.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se veprimet e tij që lidhën me raportin e Dick Marty-t, ku përmendet trafikimi i organeve, nuk janë përpjekje për të ndërhyrë në drejtësi apo për të zhbërë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas Ramës, duhet pranuar që disa vjet më parë Këshilli ka bërë gabim duke e miratuar raportin i cili çoi drejt themelimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se duhet pranuar që disa vjet më parë në Këshill është bërë gabim duke e miratuar një raport të tillë.

“Nëse e shihni objektivisht këtë gjë, nëse ju do të ktheheshit të lexoni objektivisht raportin do të kuptonit pse jam këtu, unë kuptoj që njerëzit ndjejnë solidaritet më anëtarët e asamblesë parlamentare, por kurrë nuk thash as nuk kam menduar për asnjë sekondë se ka ndonjë lloj konspiracioni, ka qenë një gabim tragjik i bërë në mirëbesim por në demokraci gabimet tragjike ndreqen. Duhet të pranojmë që është bërë një gabim, jo për t’u përgjigjur, për ta parë objektivisht dhe për ta pranuar me modesti dhe me përulësi”, ka thënë Rama.

Duke iu përgjigjur kritikave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Rama kujtoi se çdo gjë kishte filluar bazuar në pretendimet për trafikim të organeve ndërsa në aktakuzë nuk ka asnjë fjalë për ato.

“Nuk mund të më thoni që po iu kërkoj në një mënyrë të pengoni drejtësinë apo të ndërhy në një proces gjyqësor, ose nuk e keni kuptuar atë që po them apo qëllimisht nuk doni të kuptoni atë thash. Në deklaratën time isha shumë i qartë, thash se ka një problem serioz, çështja serioze e trafikimit të organeve njerëzore, ky është një problem vërtetë serioz, por kjo nuk ka të bëjë aspak me procedurën gjyqësore. Në aktakuzë nuk ka asnjë fjalë, aspak të trafikimit të organeve dhe në Dhomat (e Specializuara) po trajtojnë një çështje krejt ndryshe, gjëra ndryshe, kjo akuzë e rëndë, kjo akuzë e turpshme, akuza për trafikim të organeve njerëzore është një akuzë që i ka bërë të gjithë këtu bashkë në solidaritet, sepse kur dëgjon diçka kaq të tmerrshëm natyrisht që duhet të hetosh, kjo është ajo çfarë qoi në ngritjen e Dhomave, por tashmë dhomat nuk po merren me çështjen e trafikimit të organeve njerëzore sepse është diçka që nuk ekziston”, ka thënë Rama.

Rama para të pranishmëve tha se lufta për ta ndoshta është një kujtim i largët por për shqiptarët është një plagë që ende dhemb.

“Për ju lufta është një kujtim i lartë për ne një plagë që ende dhemb, ndërsa ne kemi ta shërojmë. Dhe sërish pavarësisht përvojave tona të ndryshme me luftën nën ombrellën e madhe të këtij institucioni që e përcakton vetën si organizata udhëheqëse në komitetin për të drejtat e njeriut, kujtesa historike nuk mund të merret lehtë. Faktet kurrë nuk duhet të cenohen nga lojërat e pushtetit dhe zgjidhjet duhet kahera t’i qëndrojnë testit të së ardhmes. Në dekadat e fundit siç e dini institucionet kanë qenë një faktor thelbësor në ndërmjetësimin e konflikteve në Ballkan, ashtu si të gjitha shtetet e tjera në rajon Shqipëria vijon të ndërtoj të ardhmen, ndërsa lufton me trashëgimin e së shkuarës të zhvilloj institucione demokratike, ndërkohë që përndiçet ende nga fantazmat e autoritarizmit vijoj të ndërtoj marrëdhënie solide me fqinjët e saj përfshirë Serbinë, e cila jo shumë kohë më parë konsideroj armik për vdekje por tashmë është një partner i rëndësishëm në nismën tonë strategjike të Ballkanit të Hapur”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar, tha se tani është momenti organizatat ndërkombëtare Kosovën ta shkruajnë me emrin zyrtar Kosova e jo si Kosovo.

“Nuk ka dyshim se të gjithë e keni vënë re se sa i zellshëm është presidenti aktual i Kremlinit për të hequr paralele midis Krimes dhe Kosovës. Nuk është aspak një përpjekje e pamend edhe pse provat nuk e mbështesin në kurrfarë mënyrë të spekulimit, nuk ka asnjë paralele midis Kosovës dhe Kremes edhe pse ka një të tillë midis Kosovës dhe Ukrainës e meqë ra fjala a nuk do të ishte një mrekulli nëqoftëse ju këtu në këtë Këshill të nderuar të nisnit tu mësonit edhe të tjerave organizmave institucionale politikës ndërkombëtare ta shqiptojnë dhe ta shkruajnë Kosovën me emrin e vetë të vërtetë e zyrtar Kosova jo Kosovo, Republika e Kosovës kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se lufta e Kosovës nuk ishte luftë e zakonshme por një shfaqje e përgjakshme.

“Lufta në Kosovë nuk ishte një luftë e zakonshme, ishte një shfaqje e përgjakshme e një diktaturë ultranacionaliste në kërthizë të Evropës ishte një tubim i ndërgjegjes së perëndimit demokratik është një thirrje e dëshpëruar nga zemra e Evropës”, u shpreh Rama.

Më 21 korrik, Kuvendi i Shqipërisë votoi unanimisht me 125 vota pro rezolutën që do të prezantohet nga Rama.

Kjo rezolutë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues dhe më pas ndryshimin e raportit të vitit 2011, ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë.

Raporti i hartuar nga Dick Marty dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikimin e organeve kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve ’98-’99.