09:44 / E Shtunë, 01 Tetor 2022 / LB

​Rama paralajmëron rritje të serishme të rrogave për zjarrfikësit, mësuesit e mjekët

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një komunikim online me qytetarët se për zjarrfikësit do të ketë sërish rritje rrogash me buxhetin e ri, ashtu sikundër për mësuesit, mjekët e infermierët.

“Ka pakënaqësi për rritjen e pagës për zjarrfikësit. Është e vërtetë që është një rritje e cila as nuk i përgjigjet në fakt kërkesës së bërë prej tyre me të drejtë dhe as nuk i përgjigjet objektivit tonë sepse është një rritje për këtë tremujor”, sqaroi Rama.

Ai theksoi se me buxhetin e ri do të ketë për zjarrfikësit një tjetër rritje, si për mjekët, infermierët e mësuesit.

“Jam absolutisht dakord me të gjithë punonjësit zjarrfikës e familjet e tyre, me këtë shprehje pakënaqësie. Ky është vetëm hapi i parë në këtë fundvit për të filluar me të gjitha kategoritë e tjera për të cilat rrisim pagat menjëherë me buxhetin e ri. Ashtu si do të parashikojmë një tjetër rritje për të vazhduar të përballojmë inflacionin e luftës për pensionistët, do kemi rritje për zjarrfikësit, mësuesit, mjekët e infermierët, siç e kemi në programin tonë rritjen e përvitshme”, tha Rama.