Rasti i Ivanoviqit, 6 të të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Gjashtë të të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, sot gjatë seancës për shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë deklaruar të pafajshëm për përfshirjen e tyre në vrasjen e politikanit serb.
Pas leximit në gjuhën shqipe nga prokurori special Blerim Isufaj e pastaj edhe në gjuhën serbe, të akuzuarit deklaruan se e kishin kuptuar aktakuzën.
Ndërsa vetëm Nedelko Spasojeviqi dhe Zhargo Jovanoviqi e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për mbajtjes të paautorizuar të armës, por jo edhe për ndihmën në vrasjen e Ivanoviqit.
Seanca fillestare është duke vazhduar, derisa mbrojtja e Marko Rashiqit dhe Nedelko Spasojeviqit kanë kërkuar që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj tyre.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Marko Rashiqit, Nedelko Spasojeviqit, Dragisha Markoviqit, Zharko Jovanoviqit, Silvana Arsoviqit dhe Radeta Basaras, të cilët ngarkohen për veprat penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i sekretit zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me provat.
Seanca e parë shoqëruese ishte e planifikuar për 30 dhjetor, por për shkak se aktakuza nuk ishte e përkthyer në gjuhën serbe, ajo është shtyrë për sot.
Oliver Ivanoviqi u vra më 16 janar 2018, pranë selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.