12:09 / E Martë, 25 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Reka: Qytetarët e Kosovës, mbahen të mbyllur si në një ishull të Shengenit

Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, priti në një takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, me të cilin u bisedua për procesin integrues të Kosovës në BE.

Fillimisht, ministri Reka i shprehu ngushëllime ambasadorit Orlando për viktimat e fundit nga coronavirusi në Itali dhe i shprehu përkrahje morale për këto ditë të vështira nëpër të cilat është duke kaluar Italia nga kjo sëmundje.

Më tej, në takim u bisedua për procesin integrues të Kosovës në BE. Siç rekomandoi ministri Reka është e pakuptueshme që edhe më tej qytetarët e Kosovës të mbahen të mbyllur si në një ishull të Shengenit, pa pasur mundësinë për të qarkulluar lirshëm dhe pa regjim të vizave, në Evropë.

Gjithashtu, ministri Reka kërkoi që të jetë zëri i Kosovës edhe te pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, sepse siç tha, është e pakuptueshme që një organizatë multilaterale siç është BE-ja të ndërmarrë vendime unilaterale.

“Kjo çështje është ngritur sidomos për arsyen se e dëmton jo vetëm procesin integrues por edhe në përgjithësi procesin e njohjeve të tjera ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet në një komunikatë shtypi.

Ministri Reka kërkoi përkrahjen dhe mbështetjen e Italisë edhe në procesin e përgjithshëm integrues, përfshirë këtu edhe çështjen e përgatitjes për aplikim të Kosovës për statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimi Evropian.

Ambasadori Orlando njoftoi ministrin Reka për masat e gjera të marra të tashmë në Itali për të penguar përhapjen e coronavirusit, duke përfshirë kontrollin dhe identifikimin e plotë të disa zonave potencialisht të prekura dhe të individëve, pezullimin e tubimeve publike dhe forcimin e monitorimit mjekësor të kufirit në pikat e kalimit.

Ambasadori Orlando konfirmoi mbështetjen e Italisë për aspiratën e integrimit evropian të Kosovës. Ai rikonfirmoi rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj dhe partneritetin e Italisë për përparimin e mëtutjeshëm të Kosovës në Agjendën Evropiane të Reformës.