Rinumërimi i votave, këto mund të jenë pasojat e vonesës së formimit të institucioneve
Rinumërimi i votave për shkak të manipulimeve të votave të kandidatëve për deputet pritet të shtyjë certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. Kjo, sipas njohësve të proceseve zgjedhore, do të ndikojë në vonesa rreth formimit të institucioneve të reja, madje duke rrezikuar miratimin në kohë edhe të projektbuxhetit për vitin 2026, miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, e po ashtu duke ngritur dilema edhe në zgjedhjen me kohë të presidentit të vendit.
Për shkak të mosmiratimit të buxhetit për vitin 2026, qeveria në detyrë është duke shfrytëzuar buxhetin e vitit paraprak për muajt janar dhe shkurt, mirëpo për muajin mars nevojitet vendim i Kuvendit për një gjë të tillë.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress se në bazë të dinamikës aktuale të rinumërimit dhe afateve të parapara ligjore, certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve mund të ndodhë kah mesi i muajit shkurt ose më së largu në fund të këtij muaji.
Sipas tij, kjo mund të kufizojë mundësinë që seanca konstituive e Kuvendit të mbahet brenda muajit shkurt për t’i hapur rrugë edhe formimit të qeverisë së re. Ai ngrit shqetësimin edhe për vonesat e mundshme të thirrjes së seancës për votimin e presidentit.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.
“Me një dinamikë të tillë, versioni mbase më optimal e më optimist në situatën e tanishme është që rezultatet të mund të certifikohen diku nga mesi i muajit shkurt, derisa nëse ka ankesa dhe vendimmarrje të tjera potenciale nga PZAP-ja apo Gjykata Supreme, ekziston rreziku që të mos kemi certifikim të rezultateve deri në fund të muajit shkurt. Pasoja e parë, normalisht dhe më direkte, është kufizimi i mundësisë që seanca konstituive të thirret dhe të mbahet në mënyrë që të votohet konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e qeverisë dhe e buxhetit brenda muajit shkurt, që nënkupton se pagesat potenciale që kanë qenë të parapara të ndodhin në fillim të muajit mars, nuk mund të ndodhin. Sepse pas shpalljes së rezultateve përfundimtare ka 30 ditë kohë që të konstituohet Kuvendi, dhe ndonëse presidentja mund ta thërrasë menjëherë mbledhjen, ekziston një afat të paktën në bazë të rregullores deri në 5 ditë që duhet për përgatitje të seancës konstituive. Që nënkupton se ne veçse hyjmë brenda afateve për përmbylljen e procedurave që lidhen me Kuvendin, buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare e pastaj edhe për presidentin. Kjo rrezikon që ta fusë vendin edhe në kriza politike, edhe në vakum kushtetues, sepse nëse presidenti nuk do të zgjidhet deri më datë 5 mars, atëherë ne veçse jemi në shkelje kushtetuese”, thotë ai.
Shqetësim të njëjtë adreson edhe Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ai thotë për KosovaPress se në rast se certifikimi i rezultateve vonohet deri në fund të muajit shkurt, duhet të ketë një angazhim që votimi i qeverisë së re të ndodhë të njëjtën ditë me konstituimin e Kuvendit.
“Në rast se do të shkojmë në mes të shkurtit ose në fund të shkurtit, situata do të jetë pak a shumë e njëjtë, ku do të ndodhemi përballë situatave kur në fund të muajit shkurt, nuk do të ketë paga për punëtorët e sektorit publik për muajin mars. Sepse do të duhej të votohej një qeveri që e dërgon ligjin për buxhetin për vitin aktual dhe që të ndodhë ky votim me procedurë të përshpejtuar. Në këtë rast, nëse ndodh që rezultatet zgjedhore të certifikohen në mes të muajit shkurt ose në fund të muajit, atëherë do të duhet që presidentja, për aq mandat sa ka, të thërrasë seancën konstituive më shpejt se sa herën e kaluar. Edhe kur thirret (seanca konstituive), brenda 30 ditëve do t’i nevojitet kryesisë që brenda 5 ditëve të thërrasë përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të përgatitet rendi i ditës. Pra, do të duhej që presidentja të aktivizohet shumë shpejt kur të certifikohen rezultatet zgjedhore, që të konstituohet Kuvendi dhe po atë ditë të formohet Qeveria”, deklaron ai.
Për të shmangur vonesat në ekzekutimin e pagave në sektorin publik në rast të mosvotimit me kohë të buxhetit, Cakolli thotë se qeveria në detyrë do të tentojë që t’i ndajë pagat në fund të muajit shkurt për t’i evituar rreziqet.
Sipas tij, problemi më kryesor do të jetë në ndarjen e shtesave, pensioneve gjatë muajit mars, si dhe pagesat që shteti ose komunat e caktuara kanë hyrë në obligime kontraktuale.
“Unë besoj që do të tentohet që pagat të ndahen si të tilla në fund të muajit shkurt në mënyrë që të evitohen rreziqet për vonesa të mëtejshme. Problemet më kryesore mund të lindin në raport me ndarjen e shtesave, pensioneve të tjera, të cilat nuk merren në ditën e fundit të muajit siç ndodh zakonisht. E për më tepër, problemi mbase edhe më i madh është çështja e ndarjes apo pagesave për kontratat në të cilat shteti ka hyrë në obligime, apo komunat e caktuara, të cilat nuk mund të paguhen dhe nëse ka vonesa të tjera të paarsyeshme, rrezikohet që shteti të paguajë edhe penalitete apo kamata për shkak të vonesës në pagesën e këtyre mjeteve që kanë qenë të parapara”, thekson Cakolli.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna. Paraprakisht, në këto 28 komuna, KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë. Vendimi i 19 janarit vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025.

