75 Mall Live Search
11:54 / E Diele, 02 Nëntor 2025 / b l

​Rreth 100 mijë qytetarë më pak në tregun e punës

Rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë apo 1 milion e 74 mijë e 704 ishin popullsi në moshë pune në vitin 2024 ose rreth 100 mijë qytetarë më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2023 sa kanë qenë 1 milion e 171 mijë e 763. Që do të thotë se ky numër kaq i madh prej 97 mijë e 59 qytetarëve nuk janë futur në tregun e punës krahas raportit të fundit për shkak të rënies së popullatës. Rezultatet e dobëta të tregut të punës konsiderohet se kontribuojnë edhe në nivele të vazhdueshme të larta të emigrimit.

Ndonëse për vitin 2024 mbi 600 mijë qytetarë në moshë pune ose rreth 60 për qind janë joaktiv, që ende vazhdon të mbetet shkalla e lartë e atyre që nuk punojnë as nuk kërkojnë punë.

Për këta qytetarë pasiv, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka evidentuar 610 mijë e 137 qytetarë të vendit ose 56.8 për qind e atyre që janë në moshë pune (15-64 vjeç) e që janë jashtë tregut të punës dhe jasht evidencave të papunësisë për vitin 2024. Krahasuar me vitin 2023 janë 97 mijë e 59 qytetarë më pak në moshë pune më 2024, raporton KosovaPress.

“Shkalla e jo-aktivitetit ende vazhdon të mbetet mjaft e lartë 56,8 për qind, mirëpo vërehet një rënie e përqindjes prej 2,5%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Shkalla e jo-aktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar me 74,1%, krahasuar me meshkujt (39,4%)”, thuhet në raportin e titullaur Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2024 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.