Rreth 100 raste të reja me tuberkulozë në Pulmologji brenda 6 muajve

Rreth njëqind raste të reja me tuberkulozë janë shënuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Derisa në këtë periudhë fund gushti, rreth 10 pacientë po marrin trajtim me këtë sëmundje infektive.
Në një intervistë, drejtori i Pulmologjisë në QKUK, Musa Hoxha thotë se nga janari deri në qershor janë regjistruar 99 raste me tuberkulozë, ku 83 prej tyre janë pulmonare, të tjerat ekstra pulmonare dhe me tuberkulozë latente.
Ai tha se numri i pacientëve me tuberkulozë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, është i përafërt me atë të vitit të kaluar, në po të njëjtën periudhë.
“Në vitin 2024, kemi pasur diku 100 raste në gjashtëmujorin e parë. Nga ato 100 raste, 84 kanë qenë tuberkulozë pulmonare, 12 kanë qenë ekstra pulmonare dhe 4 raste kanë qenë raste latente. Sa i përket vitit 2025, gjashtëmujorin e parë, aty shifra është pothuajse e njëjtë, 99 raste i kemi pasur. Nga ato 83 tuberkulozë pulmonare, 13 ekstra pulmonare dhe 3 raste kanë qenë raste me tuberkulozë latente”, thotë Hoxha.
Hoxha tregon për numrin e pacientëve të cilat aktualisht po marrin trajtim në këtë klinikë për shkak të simptomave të tuberkulozit.
“Sa i përket pacientëve të cilët janë duke u mjekuar nga tuberkulozi në klinikën tonë në repartin B, ku bëhet trajtimi i këtyre pacientëve janë aktualisht 9 raste, duke u trajtuar me tuberkulozë”, tregon Hoxha.
Për KosovaPress, drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha potencon se kushtet në këtë klinikë nuk janë të mira. Siç thotë ai, numri i pacientëve nëpër dhoma është i lartë dhe se ka kërkesa të vazhdueshme që të zgjerohen hapësirat dhe të përmirësohen kushtet në këtë klinikë.
“Kushtet i kemi jo të mira. Janë kushte mjaftë të vështira për shkak se kemi numër të madh të pacientëve nëpër dhoma. Kemi deri në katër pacientë në një dhomë. Të gjitha dhomat janë të mbingarkuara sa i përket hapësirave…Kërkesa vazhdimisht ka qenë që të zgjerohet sa i përket hapësirave dhe kushteve. Është në plan të ardhmen se mos po bëhet ndonjë klinikë të re, sa i përket klinikës së Pulmologjisë”, tha Hoxha.
Kujtojmë, në vitin 2024, numri i përgjithshëm i të prekurve me tuberkulozë në Kosovë ka qenë rreth 560. Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose gëlbazës.