75 Mall Live Search
12:07 / E Hënë, 02 Nëntor 2020 / k.v

​Rreziku i keqpërdorimit për drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë, nuk hedhet votim projektligji

Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim Projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë. Pavarësisht kësaj, kjo pikë u përcjell me akuza dhe kundër akuza ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës. Derisa këtë projektligj qeveria e konsideronte të rëndësishëm për diasporën shqiptare, që nuk kanë nënshtetësi kosovare të kenë mundësi në blerjen e pronave të vendit, Lëvizja Vetëvendosje e shihte si rrezik të madh për keqpërdorim nga vendet jo mike të Kosovës. Ndërkaq, në PDK u shprehën se do të përmbahen nga votimi për shkak të mungesës së seriozitetit të qeverisë dhe numrave të pakët në sallë të mazhorancës.

Duke arsyetuar këtë projektligj, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se miratimi i tij është obligim në kuadër të MSA-së.

“Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i të drejtave pronësore të shtetasve të huaj duke përfshirë krijimin, bartjen përkufizimin e pronës në pajtim e me kushtet dhe procedurat e ligjeve përkatëse si dhe shuarjen e të drejtave pronësore në pronësi, apo të drejtat tjera që mundet të jenë sipas ligjit. Miratimi i legjislacionit përmes të cilit mund të rregullohet çështjet pronësore të shtetasve të BE-së është njëri prej obligimet që kemi marrë në rastin e nënshkrimit të dokumentit të parë kontratkual me BE-në”, tha ai.

Në emër të grupit parlamentar të LVV-së, deputeti Dimal Basha i paraqiti disa nga problemet që sipas tyre i ka ky projektligj.

“Ky projektligj ka shumë probleme. Fillimisht tek qytetarët e BE-së nuk ka limit, trajnohet si qytetarë të Kosovës ku lejohet të blejnë prona pa limit dhe pa asnjë filtër ndërmjet. Problemi qëndron se askush nuk e ka marrë parasysh se nesër Serbia, Rusia e Kina mund të përdorin agjendë apo qytetarë të tyre që mund të blejnë toka në Kosovës, pa asnjë kufizim. Ky është një shqetësim serioz dhe ne nuk duhet me leju me kriju ligje që iu mundësojmë shteteve jo mike të keqpërdorin me to. Pra është dashur të mendohet të ketë limite dhe kjo nuk do të thotë që qytetarët e BE-së nuk kanë të drejt me ble prona. Por duhet me u caktuar një hapësirë e limituar”, tha ai.

E në kundërpërgjigjen e tij ndaj këtyre dilemave të LVV-së, ministri Selimi tha Kosova i ka mekanizmat e veta për të kontrolluar këto transaksione. Ai kërkoi që ky projektligj të shihet në kontekstin e lehtësirës që iu krijohet mërgimtarëve dhe qytetarëve të Luginës për të pasur mundësi në blerjen e tokave në Kosovë.

“Sa i përket blerjes së pronave nga shtetet jo mike unë po iu sigurojë se kemi mekanizma të mjaftueshëm për të kontrolluar transaksionet e tilla. Kemi inteligjencën financiare, kemi rregulloret e BE-së që kufizohen dhe tek ne aplikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Duhet të shohim mundësinë që ky ligj i jep diasporës shqiptare të kenë prona këtu, veçanërisht asaj që nuk ka shtetësi të Kosovës”, tha ajo.

Por deputetit tjetër i Lëvizjes, Rexhep Selimi tha se Kosova nuk ka mekanizma të mjaftueshme të sigurisë. Ai tha se qeveria duhet të tërheq këtë ligj dhe të ndajë interesat e mërgatës shqiptare në këtë projektligj, karshi qytetarëve të BE-së.

“Qeveria duhet të ndante në mënyrë shumë të qartë të drejtat e mërgimtarëve nga rreziqet që vijnë nga ata që do të keqpërdorin këtë ligj për të përfituar prona në Kosovë. Sa i përket inteligjencës financiare unë mendoj që Kosova nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për prejardhjen e mjeteve ose parave në vendet që sidomos nuk sillet miqësisht ndaj Kosovës”, tha ai.

Krahas këtyre, kritika qeveritarëve për mungesë të numrave në parlament iu dha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

“Përmes këtij projektligji arrijmë me rregullu edhe çështjen e shumë bashkatdhetarëve tanë që janë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës, e jetojnë kryesisht në vendet gjermano-folëse. Iu mundësohet e drejta të kenë pronë në cilësinë e shtetasve të BE-së në BE. Mirëpo siç u tha edhe nga parafolësit ka edhe shumë të meta tjera që është dashur të trajtohen me më shumë seriozitet. Mos seriozitetin e kësaj mazhorance po e shohim edhe sot në Kuvend që nuk janë të gatshëm me kalu dhe nuk janë të fokusuar me mbështet një politikë të tillë kaq të rëndësishëm. PDK sot nuk do të votojë këtë projektligj, do të përmbahemi nga votimi”, tha ai.

Por ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se në kuadër të këtyre projektligjeve që ka interes kombëtar nuk duhet të ketë dallime ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës.

“Nuk kemi pas debate kaq të zjarrta për mazhorancën dhe minoracën kur ka pasur ligje kaq të rëndësishme. Psh marrëveshja me Italinë jemi bërë gjithë bashkë e kemi votuar, mendoj që ky është një ligj i tillë”, u shpreh Selimi.

Ndërsa gjitha partitë në pushtet kërkuan të miratohet në parim ky projektligj.

Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj tha se nxjerrja e këtij ligji është edhe obligim kushtetues.

“Ky projektligj synon eliminimin e të gjitha mangësive, dhe vështirësive të evidentuara nga institucionet përgjegjëse në këtë fushë, duke përfshirë edhe regjistrimin e zyrave kadastrave komunale. Të nderuar kolegë deputet me miratimin e këtij projektligji personat e huaj do të ketë të drejt të jenë titullar të drejtave pronësore në Kosovë sipas parimit të reciprocitetit dhe kushteve të përcaktuara me këtë ligj dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Ani pse e pranoi se ky projektligj mundet me pas gabime, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se duhet të kalojë dhe në mes të dy leximeve të trajtohen ato.

“Mundet si projektligj me pas gabime, por në lexim të parë duhet t’i jepet përkrahje në mënyrë që komisioni në mes të leximeve të trajtojë me më seriozitet”, u shpreh ajo.

Miratimin e këtij projektligji, deputeti i Nisma-AKR, Endrit Shala e lidhi me mundësinë e investimeve strategjike në Kosovë.

“Ne si Nisma-AKR e përkrahim që në parim të votohet ky projektligj që i rregullon të drejtat pronësore të shtetasve të huaj për në Kosovë”, tha ai.

Deputetët po vazhdojnë seancën me pikat tjera që janë në rend të ditës.