Rriten rastet me koronavirusin, shpërndahen maska falas

Një grup i organizatave të shoqërisë kanë dalë sot në pika të ndryshme në kryeqytet për të shpërndarë maska falas.
Këtë e thanë se po e bëjnë me qëllim të ngritjes së vetëdijes qytetare për përdorim të maskave në këtë kohë kur rastet pozitive me Covid-19 po shënojnë rritje.
“CiviKos”, rrjeti i organizatave të shoqërisë civile ka nisur një fushatë online për këtë çështje përmes së cilës do t’u ofrojnë ide qytetarëve si të krijojnë maska dhe si t’i përdorin ato.
Dardan Kryeziu, menaxher në “CiviKos”-it, tha se e shohin shqetësuese situatën e krijuar në Kosovë ku qytetarët po shëtisin lirshëm pa mjete mbrojtëse, gjë e cila ka ndikuar në shtimin e numrit të rasteve me COVID-19.
“Ky është një aksion vullnetar që kemi ndërmarrë si shoqëri civile dhe kemi menduar që roli ynë si shoqëri civile është për të provuar të rritim vetëdijen e qytetarëve për përdorim të maskave dhe mendojmë që është shumë i nevojshëm duke parë që qytetarët në ambientet e mbyllura sidomos nuk po i përdorin maskat, siç janë autobusët urban, supermarketet, qendrat tregtare të ndryshme”, tha ai.
Ky aktivitet i paraprinë fushatës online në të cilën do të postohen video vetëdijesuese, thirrje për përdorim të maskave dhe video si të bëhen maskat në kushte shtëpie.
Ndryshe, Kosova dje ka regjistruar 129 raste të reja me koronavirusin, në ditën më të keqe për vendin që nga fillimi i pandemisë në muajin mars.