Rudari në Dumnicë: LDK ka programin fitues në Podujevë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, në ditën e sotme të fushatës zgjedhore ka qëndruar në Dumnicë, ku tha se kjo parti është alternativa e vetme për të vazhduar qeverisjen jo vetëm në Llap, por në të gjithë Kosovën.
Ai ka akuzuar dy partitë tjera që konkurrojnë në Podujevë, PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke i quajtur se ‘ato karakterizohen nga shantazhi, krimi dhe shtet-vonimi’, teksa LDK- ja është e vetmja parti e cila e ka punuar për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Ajo çka na bënë të veçantë dhe të dallueshëm prej partive tjera është ADN-ja që e kemi trashëgimi nga presidenti historik Ibrahim Rugova. LDK-në e shquan shtet- ndërtimi, PDK-në e shquan shantazhi e krimi, e VV-në shtet-vonimi, sepse ne e pamë që ata janë në gjendje për pushtet ta rrënojnë edhe shtetin që e kemi ndërtuar me mund, djersë e gjak të shumë dëshmorëve…Këto zgjedhje nuk janë thjesht vetëm zgjedhje më së paku për mua si kandidat, por janë zgjedhje për LDK-në, Kosovën. Nga ky vend dhe nga gjithë Llapi ne do të përçojmë mesazhin e fuqishëm që LDK është unike dhe e fortë, dhe alternativa e vetme për të vazhduar qeverisjen jo vetëm në Llap, por në të gjithë Kosovën…Ne e kemi programin fitues me atë program fitues i kemi fituar zgjedhjet dhe ne do të vazhdojmë në këtë pjesë të mandatit po me atë program”, u shpreh Rudari.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 15 marsit në Podujevë mbahen pasi kryetari aktual Agim Veliu dha dorëheqje për të kaluar në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.