75 Mall Live Search
15:29 / E Martë, 23 Shtator 2025 / KV

​Seanca konstituive/ Kushtetuesja mund të dalë me njoftim gjatë kësaj jave

Gjykata Kushtetuese mund të dalë me njoftim gjatë kësaj jave në lidhje me vendimmarrjen për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht që masa e përkohshme skadon më 30 shtator, thonë njohës të sistemit të drejtësisë. Sipas tyre, Kushtetuesja mund të publikojë njoftimin deri të premten, e më pas aktgjykimin e plotë javën e ardhshme, kur edhe skadon masa e përkohshme.

Portali ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me mundësinë që ky institucion të publikojë njoftimin për vendimmarrjen e mundshme për seancën konstituive para 30 shtatorit, mirëpo të njëjtit theksuan vetëm që “kërkesa e Listës Serbe është duke u shqyrtuar dhe se për çdo vendim do të njoftohen me kohë palët e përfshira, si dhe qytetarët”.

Në anën tjetër, të heshtur për këtë çështje të martën kanë qëndruar në Lëvizjen Vetëvendosje, derisa në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se do të respektojnë secilin vendim të Gjykatës Kushtetuese, përkitazi me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, thotë se është e pritshme që Kushtetuesja të dalë me njoftim para datës 30 shtator, kur edhe skadon masa e përkohshme.

“Është e pritshme që para datës 30 shtator ose me atë datë, gjykata të shpallë së paku një njoftim për rezultatin kryesor të kërkesës së dorëzuar nga ana e subjektit parlamentar Lista Serbe. Në atë njoftim, gjykata mund të thotë që derisa të hyjë në fuqi aktgjykimi dhe të publikohet aktgjykimi i plotë, të vazhdojë masa e përkohshme përkohësisht dhe të njoftojë palët që masa e përkohshme është në fuqi deri në ditën kur publikohet aktgjykimi i gjykatës”, thekson ai.

Ndërkaq, respektim të çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës po kërkon deputeti i LDK-së, Alban Zogaj. Sipas tij, nëse s’ka respektim të vendimmarrjes së organit më të lartë juridik në vend, cenohet demokracia dhe kushtetutshmëria e vendit.

“Ne duhet të respektojmë institucionet tona, përndryshe cenojmë demokracinë dhe kushtetutshmërinë e këtij vendi. Edhe këto sulme që po i shohim kohë pas kohe kundrejt Gjykatës janë të papranueshme. Ne duhet të respektojmë aktgjykimet e Kushtetueses. Ne si LDK, ashtu siç do të vijë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ashtu do ta respektojmë”, thekson ai për KosovaPress.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme mbi bazën e ankesës së Listës Serbe, e cila erdhi pasi kryeparlamentari, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.

E hulumtuesi në KDI, Vullnet Bugaqku, thotë se Kushtetuesja ka para vetes dy zgjidhje: ose të potencojë shkeljen kushtetuese në rastin e procedurave për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë, ose të konstatojë se Kuvendi është konstituar dhe procedura ka qenë në rregull.

“Potencialisht mund të gjejë shkelje kushtetuese me rastin e procedurave të administruara nga ana e kryetarit të Kuvendit sa i përket zgjedhjes së nënkryetarëve të komuniteteve jo shumicë. Pra, procedurën e propozimit dhe procedurën e votimit të kandidatëve të nënkryetarëve të Kuvendit. Gjykata mund të konstatojë shkelje të këtij procesi dhe ta kthejë edhe një herë në pikën zero propozimet dhe votimin e kandidatëve të komuniteteve jo shumicë. E dyta, Gjykata Kushtetuese mund të konstatojë se Kuvendi mund të jetë i konstituar, por kjo është çështje e vlerësimit të tyre. Nëse gjejnë se ka shkuar gjithçka sipas rregullave, mund të jetë alternativë dhe opsion fakti që mund të konsiderojë se s’ka shkelje kushtetuese dhe Kuvendi, meqenëse i ka katër nënkryetarët, dhe procesi të vazhdojë edhe më tutje”, deklaron Bugaqku.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.

Basha në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.