11:48 / E Martë, 25 Shkurt 2020 / indeksADMonline

​Sëmundja s’ka librezë partiake, anëtarët e Komisionit për shëndetësi zotohen për bashkëpunim

Në Kuvendin e Kosovës sot është konstituuar Komisioni për shëndetësi dhe mirëqenie sociale. Anëtarët e këtij komisioni u dakorduan që të bashkëpunojnë pa dallime politike për një shëndetësi më efikase në vend.

Kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se Komisioni për shëndetësi dhe mirëqenie sociale duhet të jetë shembull i bashkëpunimit pa dallime partiake.

Uran Ismaili nga radhët e PDK-së, tha se sëmundja nuk ka librezë partiake, andaj sipas tij, duhet që të gjithë së bashku të japin kontribut dhe të mbajnë Qeverinë përgjegjëse sa i përket shëndetësisë.

Ai theksoi se mirëqenia sociale dhe shërbimet shëndetësore duhet të jenë primare.

Mirlinda Sopi-Krasniqi nga AAK-ja, tha se ky komision duhet ta bëjë kthimin e besimit të qytetarëve të Kosovës për mantelbardhët.

Komisioni për shëndetësi dhe mirëqe nie sociale përbëhet nga 9 anëtarë, Albena Reshitaj AAK, Haxhi Avdyli LDK, Labinotë Demi-Murtezi VV, Fitim Uka VV, Ekrem Hyseni LDK, Uran Ismaili PDK, Bekim Haxhiu PDK, Milosh Peroviq Lista Serbe, Miranda Sopi-Krasniqi Aleanca Kosova e Re.