21:44 / E Martë, 20 Tetor 2020 / indeksADMonline

​Serbia në zgjedhje pas dy vjetësh

Qeveria e re e Serbisë do të ketë një mandat të kufizuar, jo më gjatë se deri më 3 prill 2022, kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale, tha sot presidenti Aleksandar Vuçiq, partia e të cilit ka fituar bindshëm zgjedhjet e 21 qershorit.

Përveç Partisë Përparimtare Serbe, në qeverinë e re do të përfshihet edhe Partia Socialiste e Serbisë dhe Lidhja Patriotike Serbe e Aleksandar Shapiqit, e cila deri më tash ka qenë në opozitë.

Ivica Daçiq, ministër i deritashëm i Punëve të Jashtme, do të jetë kryetar i Kuvendit të Serbisë, njoftoi Vuçiq.

Ai ndërkaq nuk i bëri publikë emrat e ministrave të ardhshëm, duke thënë se do ta bëjë këtë pas bisedimeve shtesë brenda partisë.

Qeveria e re serbe pritet të ketë ministri të reja, përfshirë atë të Drejtave të Njeriut dhe Dialogun.