21:51 / E Diele, 15 Maj 2022 / AR

​Shefi i NATO-s: Pushtimi rus në Ukrainë nuk po ecën sipas planit

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi se pushtimi i Ukrainës nuk po shkon sipas planeve ruse.

Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, Stoltenberg tha se Rusia nuk po arrinte “objektivat e saj strategjikë”.

“Ata nuk arritën të merrnin Kievin, ata po tërhiqen nga rrethi i Kharkivit, ofensiva e tyre e madhe në Donbas ka ngecur,” shtoi ai.

Stoltenberg tha gjithashtu se Ukraina mund të fitojë luftën.

Komentet e tij vijnë pasi Ministria e Mbrojtjes e Britanisë vlerëson se Rusia ka humbur rreth një të tretën e forcës së saj luftarake tokësore që nga fillimi i luftës në shkurt.

Vlerësimi mbi humbjet ruse përfshijnë burrat e vrarë ose të plagosur dhe pajisjet e shkatërruara ose të kapura.

Forcat ukrainase po kundërsulmojnë në qytetin e Izyum, tha guvernatori rajonal Oleh Sinegubov, diçka që mund të komplikojë planet ruse për të kapur Donbasin.

Megjithatë, ushtria e Ukrainës pranoi gjithashtu pengesat në përditësimet e saj të fundit, duke thënë se Rusia po përparonte në disa zona në rajon, raporton BBC.