75 Mall Live Search
22:28 / E Shtunë, 13 Dhjetor 2025 / MSH1

​Shkencëtarët krijojnë mikro-robotin që mund të udhëtojë nëpër trupin e njeriut

Shkencëtarët nga Universitetet e Pensilvanisë dhe Miçiganit kanë arritur të krijojnë një robot më të vogël se një milimetër, të pajisur me kompjuterin, motorin dhe sensorët e vet.

Edhe pse nano-makinat janë ende një e ardhme e largët, ky mikro-robot, më i vogël se një kokërr kripe, përfaqëson një hap revolucionar drejt këtij qëllimi, shkruan Futurism.

“Ky është roboti i parë i vogël që mund të ndiejë, mendojë dhe veprojë”, tha bashkautori i studimit Marc Miskin, një profesor asistent i inxhinierisë elektrike dhe sistemeve në Universitetin e Pensilvanisë.

Edhe pse pajisja është në fazën eksperimentale, bashkautori David Blaauw i Universitetit të Miçiganit është optimist: “Nuk do të habitem nëse brenda 10 vjetësh kemi aplikime në botën reale për këto lloj robotësh.”

Roboti i ngjan një mikro-çipi dhe është bërë nga materiale të ngjashme silikon, platin dhe titan. Është i mbrojtur nga një shtresë qelqi në mënyrë që të mund të funksionojë në lëngje. Ai përdor qeliza diellore për të furnizuar me energji kompjuterin e tij të integruar dhe sistemin e shtytjes.

Roboti lëviz duke notuar, duke përdorur një palë elektroda për të krijuar një rrjedhë në grimcat e ujit që e rrethojnë.

Kompjuteri i tij është dukshëm më i ngadaltë se një laptop modern, por mjaft i fuqishëm për t’iu përgjigjur ndryshimeve në mjedisin e tij, siç është temperatura.

“Në këtë nivel, madhësia dhe buxheti i energjisë së robotit janë të krahasueshme me shumë mikroorganizma njëqelizorë,” shkroi ekipi në studim.

Një tipar kyç i robotit është aftësia e tij për të komunikuar me operatorët njerëzorë.

“Ne mund t’i dërgojmë mesazhe duke i thënë se çfarë duam që të bëjë dhe ai mund të na dërgojë mesazhe për të na treguar se çfarë pa dhe çfarë bëri”, shpjegoi Miskin.

Sfida tjetër e madhe është vendosja e komunikimit midis vetë mikrorobotëve.