75 Mall Live Search
17:08 / E Martë, 09 Dhjetor 2025 / MSH1

​Shoqëria civile thotë se sulmet ndaj gjyqësorit po rrezikojnë demokracinë

Një grup prej 22 organizatash të shoqërisë civile kanë reaguar për, siç e vlerësojnë ato, sulmet dhe denigrimin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit në vend. Reagimi vjen pas një postimi të 9 nëntorit të përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ku ai ka përdorur gjuhë nënçmuese ndaj gjyqtarëve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Organizatat vlerësojnë se deklarime të tilla minojnë kredibilitetin e sistemit të drejtësisë dhe nxisin diskurs publik armiqësor ndaj gjyqtarëve. Ato i kërkojnë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të ndërpresë menjëherë sulmet ndaj institucioneve të pavarura, përfshirë gjyqësorin, mediat dhe organizatat joqeveritare.

“Ne kërkojmë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti që menjëherë të ndalojë sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe pushteteve tjera, siç janë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile, sa herë që nuk pajtohet me to”, thuhet në reagim.

Në reagim rikujtohet se kundërshtimi i vendimeve gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes procedurave ligjore të apelimit, siç përcaktohet edhe me rekomandimin CM/Rec(2010)12 të Këshillit të Evropës, i cili u bën thirrje pushteteve ekzekutive dhe legjislative të shmangin deklaratat që minojnë pavarësinë dhe autoritetin e gjyqësorit.

Organizatat theksojnë se gjyqësori mbetet një prej shtyllave kryesore të mbrojtjes së demokracisë dhe sundimit të ligjit.