Shpërthim në Harvard, aktivizohet FBI
FBI po heton pas një shpërthimi “të qëllimshëm” brenda një ndërtese në kampusin e shkollës mjekësore Longwood të Universitetit Harvard të shtunën.
Shpërthimi që ndodhi në njërën nga ndërtesat mjekësore, autoritetet po e konsiderojnë si një akt të qëllimshëm. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua në këtë incident, raporton CNN.
Departamenti i Policisë së Universitetit Harvard njoftoi se oficeri i tyre iu përgjigj një telefonate në ndërtesën Goldenson rreth orës 2:48 të mëngjesit. Pasi u aktivizua alarmi i zjarrit, oficeri pa dy persona duke ikur nga ndërtesa.
Një shpërthim ishte i dukshëm në katin e katërt të ndërtesës, të cilin ekipi zjarrfikës e ka vlerësuar paraprakisht si “të qëllimshëm”.
Policia e Bostonit kontrolloi objektin për “pajisje shtesë”, por nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Zyrtarët ende nuk kanë publikuar detaje rreth natyrës së shpërthimit apo ndonjë dëmtimi prone.

