Shqiptarët në veri nën “kërcënim” për shkyçje nga energjia elektrike prej Elektroseverit

Banorët e lagjes “Lugina e doktorëve” në Mitrovicë të Veriut kanë filluar të marrin paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike nga kompania “Elektrosever”. Gjatë muajit shtator, kjo kompani u ka dërguar disa njoftime me shkrim banorëve, duke i informuar se do të përjashtohen nga rrjeti elektrik për shkak të mospagimit të borxheve.
Ndërsa, banorët shprehen se borxhi i faturuar nga “Elektrosever” nuk është i bazuar në marrëveshjen e Brukselit, sipas së cilës për një periudhë tremujore ishte paraparë që të aplikohej një faturë paushalle prej 21 euro e 60 cent. Sipas tyre, “Elektroserver” ka vazhduar të faturojë shumën prej 54 eurosh në muaj deri në maj të këtij viti, kur në shtëpitë e lagjes “Lugina e doktorëve” janë vendosur njehsorët.
Kryetari i kësaj lagjeje në Mitrovicën e Veriut, Fatmir Shala, thotë se që nga muaji shkurt kur u vendos që edhe veriu i Kosovës të paguajë energjinë elektrike të shpenzuar nga kompania “Elektrosever” asnjëherë nuk kanë pranuar fatura.
Për këtë çështje, ai shtoi se qytetarët kanë shkruar të marrin informacione te kompania, ndërsa atyre u është prezantuar një kontratë ku kërkohet të bëhet pagesa e shumës afërsisht 1 mijë euro.
Shala shton se banorët nuk duan ta paguajnë këtë shumë pasi pagesa e paushallit nuk është bërë ashtu siç ishte paraparë.
“Nuk kanë vendosur njehsorë, nuk na kanë njoftuar dhe nuk na kanë dërguar asnjë lloj fature dhe në maj të këtij viti kanë filluar me i vendosur njehsorët edhe pasi i kanë vendosur njehsorët prapë pas 3-4 muaj nuk na kanë informuar dhe nuk na kanë sjell faturë se sa kemi shpenzuar…..Secili që ka shkua i kanë ofruar një kontratë ta nënshkruajnë prej 900 e sa eurove ku secili ka bërë pyetje se çka është kjo dhe ata i kanë thënë është një paushall nga shkurti i vitit të kaluar 54 euro në muaj që ju duhet të paguani plus harxhimet që janë bërë për tre muaj. Shumica e banorëve e kanë kundërshtuar nuk janë të interesuar ta paguajnë atë paushall, ose ta bëjnë paushallin siç ka qenë në fillim 21 euro e 60 centë kështu kjo ka mbetur dhe banorët kanë paguar vetëm për ata 3 muaj që kanë shpenzuar”, theksoi ai.
Për banorët e 22 shtëpive të kësaj lagjeje paralajmërimi për ndërprerje nga energjia elektrike po konsiderohet kërcënues dhe i padrejtë. Shala paralajmëron edhe organizmin e protestave për të kundërshtuar këtë veprim.
“Kjo neve po na duket si një lloj kërcënimi se tash po ofrohet sezoni i dimrit e me të shkyçur në sezon dimërore prej energjisë elektrike kjo është a padrejtë….Nëse shkyçemi ekzistojnë forma të tjera si protesta…18’09. Në përgjithësi është e njëjtë është diku 800 e diçka euro paushalli në përgjithësi është 90 e diçka euro shpenzime”, deklaroi Shala.
I shqetësuar për paralajmërimin e marrë nga kompanie “Elektrosever” për ndërprerje të energjisë elektrike shprehet edhe banori tjetër i lagjes “Lugina e doktorëve, Musa Myftari.
Ai konsideron se kjo kompani mospunën e saj po ua faturon këtyre banorëve.
Pagesa e paushallit prej 54 euro në muaj sipas tij është arbitrare dhe me qëllim të përfitimit.
“Na ka arritur një letër e cila është kërcënuese e cila na e përkujtojnë kohën e kaluara. Kërcënuese se fajin e vetë që e kanë që nuk i kanë instaluar orët e rrymës me kohë në vitin 2024 në fror (shkurt) dhe nuk na kanë informuar banorët e lagjes, fajin e tyre na e hedhin neve dhe na kërcënojnë se do të na e ndërprejnë rrymën nëse nuk e paguajmë gabimin e tyre…ne jemi këtu të kërcënuar dhe nën shtypje jo vetëm pas luftë por gjithnjë në shtypje prej faktorëve eksponentëve serb në Beograd…Elektroseveri ka qenë i detyruar brenda 3 muajve me i instalua orët elektrike në të gjitha shtëpitë e familjeve, por atë këtë punë se kanë bërë. Brukseli ua ka caktua gjatë muajve me pagua banorët një paushall afërisht 20 euro, por këta nuk i kanë kryer këto punë kanë shkuar zhagë e zhagë e derisa kanë ardhur në shtator të vitit 2025 me një letër ku i kërkojnë prej nesh gati 1 mijë euro për secilës familje veç e veç se atë 20 euro e kanë rritur e kanë bërë 54 euro…Nuk e dimë në bazë të çkafit e kanë shumëzuar 20 euro, qysh e kanë caktuar me siguri në mënyrë arbitrare me qëllim të përfitimit”, theksoi ai.
Myftari shprehet i prerë që pagesa do të bëhet vetëm sipas kushteve të marrëveshjes së arritur në Bruksel në muajin shkurt të vitit 2024.
“Ai që e ka sjell nuk është prezantuar asnjë banorit të lagjes….pagesat ne do t’i bëjmë sipas kushteve ligjore të Brukselit që ka qenë maksimumi tre muaj 20 euro dhe sipas orëve që janë instaluar aq sa shpenzojmë do të paguajmë, por nëse gaditshmërinë tonë që ta paguajmë atë që e kemi shpenzuar e keqpërdorin autoritetet e Elektroseverit dhe nga shkyçin prej rrymës atëherë nuk e di se si kemi me reagua”, theksoi ai.
Qytetarët e kësaj lagjeje për shqetësimet e tyre që tashmë po marrin nga Elektrosever e kanë njoftuar edhe udhëheqësin komunale.
Kryesuesi i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin theksoi për KosovaPress se si kuvend komunal do të mbajnë një dëgjim publik i cili është caktuar më 22 shtator, dhe me një letër do t’i njofton institucionet qendrore për shqetësimet e banorëve të lagjes së “Luginës së doktorëve”.
Ugljanin theksoi se shqetësime të tilla kanë edhe banorët e lagjeve të tjera të Mitrovicën e Veriut.
“Kemi problem me shkyçjen e rrymës ne kemi shumë raste sociale që faktikisht i kanë borxhet 2-3 mijë euro dhe Elektroseveri po kërkon pagesën e 30% të asaj shume dhe prapë qytetari jetë borxh Elektroseveri sepse ata nuk i kanë kryer obligimet sipas marrëveshjes që kanë pas si përfaqësues të lagjeve dhe nuk i janë përmbajtur marrëveshjes nga fillimi sepse kanë thënë derisa të kryhet montimi i orëve elektronike nëpër lagje do të paguhet 21 euro për familjet dhe 54 euro për bizneset. Por, menjëherë kanë ardhur faturat me shifra marramendëse, ankesat janë edhe nga komuniteti shumicë serbë, 5 mijë ankesa janë në kuadër të Elektroseverit, edhe ata e kanë të njëjtin shqetësim”, theksoi ai.
Kryesuesi i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut konsideron se qytetarët duhet t’u drejtohen institucioneve të drejtësisë për këtë shqetësim.
Sipas tij letra që tashmë po u dërgohen banorëve dhe po paralajmërohet shkyçja nuk ka as vulë e as nënshkrim.
“Sipas letrës që vjen për shkyçje për 5 ditë për t’i kryer obligimet nuk ekziston as vula, as nënshkrimi as autorizimi edhe ajo është diçka që procesi nuk është kryer sipas marrëveshjeve dhe ai është proces për gjyq e jo për ne si institucione sepse aty qytetari duhet të jetë i mbrojtur ligjshmërisht sepse qytetari nuk i ik pagesës, por faktikisht janë disa obligime që kompania Elektrosever nuk i ka kryer”, deklaroi kryesuesi i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut.
Shkyçja e paralajmëruar nga Elektroseveri për banorët e komunitetit shqiptar në veri të Mitrovicës po konsiderohet si “luftë hibride” që po e bënë Serbia karshi Kosovës.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci veprimet e tilla i konsideron të papranueshme dhe të pamundshme.
“Kosova përballet me një luftë të egër hibride në aspektin e jashtëm me Serbinë, këtë e dimë të gjithë dhe normalisht që i shfrytëzon aty ku ka mundësi të shfrytëzoj diçka vetëm që të shkaktoj ndonjë shqetësim, panik, dezinformim, shantazh apo sabotazh ajo do ta bëjë këtë….Dihet situata financiare sociale në Kosovë me çfarë të drejte ka dikush të vijë dhe të kërcënoi në Republikën e Kosovës që ka shtet dhe ka institucione është e papranueshme dhe është absolutisht e pamundur për mendimin tim”, deklaroi Dashevci.
Të hënën banorët e lagjes “Lugina e Doktorëve” kanë dërguar letër me shqetësimet e tyre karshi kërcënimeve të Elektroseverit për ndërprerje të energjisë elektrike te Kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut, po ashtu edhe në adresë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti si edhe ministrin në detyrë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Për paralajmërimet për ndërprerje të energjisë elektrike nga Elektroseveri karshi banorëve shqiptarë në veri të Kosovës, KosovaPressi ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë Elektrosever, Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), por deri në momentin e publikimit nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.
Kompania Elektrosever mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa nga fillimi i vitit 2024 kjo kompani ishte paraparë të nisë me shpërndarjen e faturave te konsumatorët. Kjo buroi nga një marrëveshje e arritur në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.