11:25 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

​Spurs deklasojnë Cavaliers

Humbje e thellë në shtëpi për LeBron James me shokë.

Ndeshja kryesore e mbrëmjes në NBA u luajt në Quicken Loans Arena, aty ku San Antonio Spurs shkaktoi befasi duke lënë me kokën ulur basketbollistët e  Cleveland Cavaliers.

Paraqitja e shkëlqyer e James që realizoi 33 pikë, 13 kërcime dhe 9 asistime nuk i mjaftoi Cavs që në shtëpi u mposhtën me rezultatin 94:110 nga skuadra e Teksasit.

Ndërkohë Spurs u rikthyen te fitorja pas 4 humbjeve radhazi dhe për ta bërë këtë u mbështetën fortë te loja e dyshes LaMarcus Aldrige e Dannt Green të cilët të së bashku realizuan 49 pikë.

Vazhdon dominimi i Houston Rockets. Tjetër fitore e 12-ta radhazi për skuadrën nga Teksas që falë fitores 119:114 në udhëtim ndaj Denver Nuggets ruajti kreun në Konferencën e Perëndimit.

Në Pepsi Center ishte mbrëmja e James Harden. I pandalshëm ylli i Rockets me Harden që e mbylli sfidën me 41 pikë 7 asistime e 8 kërcime, ndërsa paraqitje të mirë bëri edhe Chris Paul me 23 pikë.

Ecuri pozitive edhe për Charlotte Hornets që në Spectrum Center mposhti 114:98 Detroit Pistons duke regjistruar fitoren e katërt radhazi.

Këto fitore kanë bërë që skuadra nga Karolina e Veriut të shpresojë për t’u kualifikuar në play off.

Dwight Howard me 17 pikë dhe 12 kërcim por edhe Kemba Walker me 17 pikë ishin dy basketbollistët më të mirë për Hornets, ndërkohë që ishin të pamjaftueshme 20 pikët e Blake Griffin për Pistons.