20:50 / E Hënë, 05 Mars 2018 / indeksADMonline

​Sulmohet një shqiptar në veri të Mitrovicës

Sonte në mbrëmje është rrahur një shqiptar në veri të Mitrovicës, gjegjësisht në sheshin “Mbreti Petar”.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i cili ka thënë se rasti është raportuar në polici në ora 18:20.

Ai pohoi se viktima është një djalë i moshës së mitur dhe është sulmuar nga një grup i të rinjve serbë, deri sa ishte duke shëtitur me një shok të tij.

“Viktima ka qenë duke shëtitur me një shok të tij, kur një grup i serbëve e ka sulmuar fizikisht. I njëjti është dërguar në jug të Mitrovicës për trajtim shëndetësor. Ai ka një prerje në pjesën e mbibërrylit”, ka thënë Hoti.

Sipas raportit mjekësor, lëndimi është i natyrës së lehtë, kurse viktima në prezencën e prindërve ka raportuar për rastin në Polici të Kosovës.

Ai pohoi se njësitë policore janë urdhëruar për të identifikuar sulmuesit.

Sipas burimeve , dyshohet se ai është rrahur nga një grup i quajtur “KM-Forte”./Indeksonline/