20:27 / E Enjte, 30 Qershor 2022 / MSH

​Sveçla në Bruksel: KE rikonfirmon se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka takuar sot në Bruksel komisionaren evropiane për Punë të Brendshme Ylva Johansson, të cilën e ka falënderuar për ri-konfirmimin e Komisionit Evropian se Kosova ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët e saj.

Komisionarja Johansson ka ri-konfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër të procesit ekzistues deri në kompletimin e liberalizimit të vizave, ka shkruar Sveçla në një status në Facebook.

Në takim u tha se lufta ndaj krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe të gjitha veprimtarive ilegale mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Ky është shkrimi i plotë i ministrit Sveçla:

Kisha kënaqësinë që të takoj në Bruksel Komisioneren Evropiane për Punë të Brendshme Ylva Johansson.

Shpreha falënderimin tonë për ri-konfirmimin e Komisionit Evropian se Republika e Kosovës ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët tanë.

Komisionerja e BE për Punë të Brendshme Johansson ka ri-konfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër te procesit ekzistues deri në kompletimin e Liberalizimit të Vizave.

Biseduam mbi arritjet e Qeverisë sonë nga hera e fundit kur jam takuar virtualisht me znj. Johansson.

Lufta ndaj krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe të gjitha veprimtarive ilegale mbetet prioritet i yni andaj në këtë kuptim kam shprehur gatishmërinë tonë për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shtetet aleate për krijimin e stabilitetit në vendin tonë dhe më gjerë.