Të akuzuarit mohojnë sulmet ndaj KKZ-së në veri, pretendojnë se hetimet janë të pamjaftueshme

Në gjykimin ndaj Dejan Pantiq, Millun Millenkoviq, Aleksandër Vllajiq dhe Miomir Vakiq është dhënë fjala përfundimtare nga mbrojtja. Para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ata kanë mohuar se kanë qenë pjesë e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në dhjetor të vitit 2022.
Avokati Millosh Deleviq, i cili është mbrojtës i Aleksandër Vllajiqit tha se nuk ka prova të mjaftueshme për këtë aktakuzë.
“Kam punuar në lëndë të ndryshme të rënda para Gjykatës Speciale. Mirëpo, gjatë karrierës sime nuk kam parë kësi hetime kaq të pamjaftueshme dhe aktakuza që është ngritur më pas. Nuk mund të them që kjo është meritë e prokurorit të çështjes, mirëpo besoj që është e prokurorit paraprak, i cili ka bërë hetimet dhe ka ngritur këtë aktakuzë. I nderuari prokuror ka provuar të shpëtojë atë që mund të shpëtohet, mirëpo mendoj që në këtë nuk ka arritur. Dhe ka provuar jashtë besimit që i akuzuari Aleksandër Vllajiq ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet”, deklaroi ai.
I akuzuari Aleksandër Vllajiq ka mohuar se ka qenë i përfshirë në këtë sulm.
“Unë pajtohem me të gjitha të cekurat e avokatit, mbrojtësit tim. Nga fillimi i procedure unë flas vetëm të vërtetën dhe nuk kam asgjë për të fshehur. Nuk i kam kryer këto vepra penale, me të cilat ngarkohem në këtë lëndë. Nuk jam i përfshirë, nuk kam qenë në këto sulme të cilat kanë ndodhur në këtë datë. Nuk kam qenë pjesë e grupit, nuk ka qenë vet grupi dhe nuk kam ndihmuar në asnjë mënyrë këtë grup. Këtë e kanë vërtetuar dëshmitarë të shumtë. Nuk ka prova forenzike kundër meje. Ju lutem, t’i vështroni të gjitha provat të cilat janë në shkresat e lëndës. Nuk kërkoj asnjë privilegj, unë kërkoj drejtësi”, tha ai.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit, Dejan Pantiq, avokati Lubomir Pantoviq tha se nuk ka prova të mjaftueshme, ku ai i ka paraqitur disa fotografi para trupit gjykues, duke thënë se i njëjti ka qenë diku tjetër kur është kryer sulm.
“Mund të tërhiqemi nga ndjekja penale, gjithashtu kur nuk ekzistojnë provat materiale dhe çdo gjë jashtë kësaj është keqpërdorim i të drejtës dhe shkelje e ligjit dhe mendoj që sot ballafaqohemi me këtë. Të nderuar gjyqtarë, më duhet të kthehem në të kaluarën, sepse kjo ndodhje ka pasur një jehonë në të kaluarën për të mbrojturin tim. Është i arrestuar në dhjetor të vitit 2022…Prokurorët tonë më duket nuk dëshirojnë të zbatojnë ligjin në atë pjesë ku thuhet që edhe prokuroria është e obliguar jo vetëm gjykata që të vërtetojë të vërtetat materiale dhe kjo në praktikë do të thoshte që nuk ngritet aktakuza… Në pjesën e poshtme të fotografive Dejan Pantiq këtu është duke ecur në rrugën ‘Liria’ në Mitrovicë në afërsi të objektit të prokurorisë”, tha ai.
Ai tha se pretendimet e prokurorisë që i akuzuari Dejan Pantiq ka pasur uniformë nuk janë të vërteta.
“Dejan Pantiq nuk ka pasur asnjë lloj të uniformës të mbrojtjes civile, por as ndonjë uniformë tjetër të dikujt. Dhe këto që prokurori i ka pretenduar janë vetëm propozime të thjeshta dhe asgjë tjetër dhe nuk është provë”, shtoi ai.
I akuzuari Dejan Pantiq mohoi se ka qenë pjesë e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ).
“Unë jetoj që 19 vite të tre soliterët, e cila është një lagje me nacionalitete të ndryshme. Asnjëherë nuk kam pasur problem me komshinjtë e mi të cilët janë shqiptarë, por as ata me mua. Që do të thotë çdo ditë kam shkuar në dyqan që të blejë diçka, ashtu ndodhi edhe atë ditë sepse bashkëshortja ime punon në Leposaviq. Atë ditë unë e bleva një bukë, e kam pasur një qese të thjesht, ashtu siç jepet në furrë dhe jam nisur në drejtim të shtëpisë për ta dërguar atë bukë”, tha ai.
Shpallja e këtij aktgjykimi do të mbahet më 28 korrik, në ora 09:30.