75 Mall Live Search
19:27 / E Martë, 23 Qershor 2020 / indeksADMonline

​Tërmet i fuqishëm godet Meksikën jugore

Një tërmet me fuqi 7.4 ballë sipas shkallës Rihter goditi Meksikën e Jugut të martën, duke tronditur ndërtesat në qendër të kryeqytetit Siudad de Meksiko qindra milje larg dhe duke nxjerrë njerëzit në rrugë, por nuk ka raportime për viktima eventuale.

Instituti Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se fuqia e tërmetit ishte 7.4 ballë, duke rishikuar vlerësimin origjinal prej 7.7 ballë, ndërsa Shërbimi Sizmologjik meksikan njoftoi se tërmeti kishte një magnitudë 7.5 ballë, raporton AFP.

Tërmeti ndodhi në shtetin Oaxaca në bregdetin e Paqësorit, me epiqendër në Crucecita.

Tërmetet me një fuqi të tillë mund të jenë katastrofale. Një tërmet 7.1 ballë që goditi Meksikën qendrore në vitin 2017, shkaktoi vdekjen e 355 njerëzve në kryeqytet dhe vendet përreth.

Meksika shtrihet në kryqëzimin e tre pllakave tektonike dhe është një nga zonat më sizmike në botë.

Kryeqyteti Siudad de Meksiko është veçanërisht i ndjeshëm pasi ndodhet në fund të një liqeni të dikurshëm.