75 Mall Live Search
10:12 / E Hënë, 07 Shtator 2020 / indeksADMonline

​Thaçi kujton 7 Shtatorin: Vullneti i popullit tonë për liri e pavarësi ishte shekullor

Presidenti Hashim Thaçi ka kujtuar 7 Shtatorin e vitit 1990 kur deputetët e atëhershëm miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale, në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se ngjarjet e 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese.

Ky është statusi i tij i plotë:

Vullneti i popullit tonë për liri dhe pavarësi ishte shekullor. I tillë ishte edhe vullneti i përfaqësuesve politikë. Ngjarjet e 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese.

Sot, me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë.

Liria dhe pavarësia ishin ëndërr e shumë brezave, që sakrifikuan gjithçka për t’i bërë realitet. HTH.