21:51 / E Mërkurë, 20 Qershor 2018 / indeksADMonline

​Trump do të nënshkruajë dekretin për të parandaluar ndarjen e familjeve të emigrantëve

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot se do të nënshkruajë një dekret për të parandaluar ndarjen e familjeve të emigrantëve, të cilat kanë kaluar në mënyrë të jashtëligjshme kufirin me Meksikën.

Administrata amerikane po përjeton një valë kritikash, si në nivel kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar, pasi më shumë se 2.300 minorenë janë ndarë nga prindërit e tyre në pesë javët e fundit.

“Ne dëshirojmë që familjet të qëndrojnë së bashku. Kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Trump gjatë një takimi me deputetë republikanë në Shtëpinë e Bardhë.

“Do të nënshkruaj një dekret brenda një kohe të shkurtër”, vijoi ai pa dhënë sqarime të mëtejshme  për përmbajtjen e saktë të këtij teksti.

Presidenti dhe stafi i tij përsërisin prej disa ditësh se ata po zbatojnë vetëm ligjin dhe se vetëm një modifikim i këtij të fundit nga ana e Kongresit do të mundësonte dhënien fund të ndarjeve mjaft të kritikuara, në SHBA, por gjithashtu në mbarë botën. Po sot, lideri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Paul Ryan njoftoi se do të kalonte për votim të enjten një ligj që do t’i japë fund ndarjeve të familjeve të migrantëve, të cilët kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin dhe do të zgjidhin statusin e të rinjve, të cilët hyjnë pa dokumente në SHBA.