Truri fiket pak minuta para gjumit, tregon studimi i ri
Një studim i ri zbulon se larg nga zhytja e butë në gjumë truri pëson një ndryshim të papritur dhe të shpejtë para se të biem në gjumë.
Studiuesit kanë zbuluar një pikë kthese kyçe që ndodh pak minuta para se të fillojë gjumi, raporton Science Alert.
Duke përdorur skanime të trurit të mijëra vullnetarëve, shkencëtarët nga Kolegji Mbretëror Londër (ICL) dhe Universiteti i Surrey në Mbretërinë e Bashkuar kanë vëzhguar një ndryshim çuditërisht të papritur në aktivitetin elektrik të trurit rreth 4.5 minuta para se një person të bjerë në gjumë.
“Ne zbuluam se të biesh në gjumë është një bifurkacion, jo një proces gradual, me një pikë kthese të qartë që mund të parashikohet në kohë reale. Aftësia për të ndjekur se si truri individual bie në gjumë ka implikime të thella për kuptimin tonë të procesit të gjumit dhe për zhvillimin e trajtimeve të reja për njerëzit që kanë vështirësi të bien në gjumë”, shpjegon neuroshkencëtari i ICL, Nir Grossman.
Ekipi zhvilloi një model që transformoi 47 karakteristika të aktivitetit të trurit, të regjistruara nga një elektroencefalogram (EEG), në një hapësirë abstrakte matematikore.
Kjo i lejoi ata të ndiqnin ndryshimet në tru që nga momenti që ata shkuan për të fjetur derisa të binin në gjumë. Kur vizatohet grafikisht, trajektorja i ngjan një topi që rrokulliset poshtë një shpati gjithnjë e më të pjerrët drejt një rënieje të papritur.
Duke përdorur këtë model, shkencëtarëve iu desh vetëm një natë regjistrimi i aktivitetit të trurit të një individi për të parashikuar kohën kur do të binte në gjumë në netët pasuese me saktësi 95 për qind dhe me një diferencë gabimi prej vetëm 49 sekondash.
“Tani mund të marrim një individ, të matim aktivitetin e trurit të tij dhe t’i tregojmë çdo sekondë se sa larg është nga të fjeturit, në çdo moment të caktuar, me një saktësi që më parë ishte e pamundur”, tha Grossman për New Scientist.
Përveç kuptimit më të mirë të gjumit të shëndetshëm, kjo njohuri mund të ndihmojë ekspertët të diagnostikojnë dhe trajtojnë çrregullimet e gjumit si pagjumësia ose përgjumja e tepërt gjatë ditës. Hulumtimi është botuar në revistën prestigjioze Nature Neuroscience.

