75 Mall Live Search
20:00 / E Premte, 18 Korrik 2025 / MSH

​UNHCR: 11 milionë njerëz do të humbasin qasjen në ndihmën thelbësore

Agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR ka paralajmëruar se deri në 11.6 milionë refugjatë janë në rrezik të humbasin qasjen në ndihmën humanitare për shkak të shkurtimeve të ndihmës së huaj nga vendet donatore.

Dominique Hyde, drejtoreshë e marrëdhënieve të jashtme të UNHCR-së, tha se kjo është rreth një e treta e refugjatëve që mbështeten normalisht nga agjencia e OKB-së.

“Situata jonë e financimit është dramatike. Kemi frikë se deri në 11.6 milionë refugjatë dhe njerëz të detyruar të ikin po humbasin qasjen në ndihmën humanitare Vetëm 23 për qind e kërkesës së UNHCR-së për financim prej 10.6 miliardë dollarësh për këtë vit është përmbushur deri më tani,” tha ajo.

Kriza e financimit rrjedh nga shkurtimet e mëdha të ndihmës së huaj nga vendet donatore si Suedia, Franca, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

Zhvendosja e detyruar po intensifikohet globalisht, ndërsa ndihma humanitare po bie ndjeshëm, që i vë popullatat e zhvendosura në rrezik të madh, sipas një raporti të ri të publikuar të premten nga UNHCR.

Agjencia tha se iu desh të ndalonte ose pezullonte programet e ndihmës me vlerë rreth 1.4 miliard dollarë, duke përfshirë furnizime emergjente për vende si Sudani, Çadi dhe Afganistani.

Shërbimet në fusha kritike si ndihma mjekësore, arsimi, strehimi, ushqyerja dhe mbrojtja janë pezulluar gjithashtu.

Gratë dhe vajzat janë veçanërisht të prekura nga kjo, më rëndë në Afganistan, pasi agjencia është dashur të shkurtojë një të katërtën e mbështetjes së saj për programet që ofrojnë mbrojtje dhe përgjigje ndaj dhunës me bazë gjinore.