16:02 / E Hënë, 25 Qershor 2018 / indeksADMonline

​Universiteti Veror nis në korrik, ja sa do të paguhen profesorët e huaj

Universiteti Veror ndërkombëtar i Prishtinës është një aktivitet i përvitshëm, i cili organizohet nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Edhe për këtë vit, për të 18-ten herë përgatitjet thuajse janë në fazën finale, kurse Universiteti Veror do të fillojë më 9 korrik dhe do të zgjas deri më 20 korrik. Të paktën kështu kanë thënë për Indeksonline, zyrtarë nga Universiteti i Prishtinës.

Sipas tyre, tashmë është përgatitur edhe agjenda dhe programi rekreativ për të gjithë pjesëmarrësit e këtij edicioni.

“Të gjitha përgatitjet për fillimin e UVP-së janë bërë. Agjenda është përgatitur dhe programi rekreativ është planifikuar për të gjithë pjesëmarrësit e këtij edicioni”, janë shprehur ata.

Gjatë këtij viti do të ligjërojnë 15 profesor ndërkombëtare dhe 15 vendor nga Universiteti i Prishtinës. Kurse profesorët ndërkombëtarë vijnë nga vende si Franca, Italia, Gjermania, Egjipti, Kroacia, Lituania, SHBA dhe Polonia.

Përkundër profesorëve edhe studentë nga shumë vende të botës do të marrin pjesë në Universitetin Verorë Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Mbi 300 studentë kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Studentë ndërkombëtarë kemi nga Gjermania, Austria, Zvicra, Spanja, Franca, Turqia, Greqia, Çekia, Jemeni, Egjipti dhe Hungaria”, kanë thënë në UP.

Kurse pritja e profesorëve nga Universiteti i Prishtinës do të jetë shumë modeste, të paktën kështu duket në konkursin e shpallur në muajin nëntor të vitit të kaluar. Në këtë konkurs kërkoheshin profesorët ndërkombëtar për të ligjëruar në Universitetin Veror, të cilët në këmbim do të paguheshin me një honorar prej 600 eurove, plus shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit.

Sipas këtij konkursi shpenzimet shtesë, si ndonjë sigurim shëndetësor apo udhëtim shtesë nuk do të mbuloheshin nga Universiteti i Prishtinës.

Kurse për student ndërkombëtarë tarifa që do të duhet të paguajnë ata për pjesëmarrjes është në vlerën e 100 eurove, që përfshinë kurset, akomodimin dhe ushqimin.

Ndryshe, Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës çdo vit mbledh student nga Kosova dhe bota, duke mundësuar kështu bashkëpunim në krijimin e programeve akademike, trajnime dhe mundësi bashkëpunimi të studentëve dhe stafit akademik me shtetet tjera.

Edicioni i parë i UVP (Universitetit Veror të Prishtinës) është mbajtur në vitin 2001, dhe që atëherë është shndërruar në traditë./Indeksonline/