75 Mall Live Search
15:17 / E Diele, 15 Maj 2022 / MSH

​Ushtria, spitalet, burgjet dhe studentët rrezikojnë të mbesin pa furnizime me ushqime

Disa institucione të Kosovës rrezikojnë të mbesin pa furnizime me ushqime dhe produkte tjera pasi kriza e çmimeve ka bërë që operatorët ekonomikë, në disa raste, të bëjnë kërkesë për ndërprerje të kontratave të furnizimit.

Në kuadër të institucioneve që mund të mbesin pa furnizim përfshihen edheushtria, spitalet, burgjet, Qendra Studentore e të tjera.

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSUK) dhe Qendrën Klinike Universitare kanë konfirmuar se si rrjedhojë e rritjes së çmimeve ka vështirësi në realizimin e disa kontratave.

Zyrtarë të SHSKUK-së kanë thënë për KP, se në tri raste ka pasur kërkesë për ndërprerje të kontratave nga operatorët ekonomikë.

“Për sa i përket lëvizje të çmimeve në nivel global ka filluar të ketë vështirësi në realizimin e disa kontratave nga disa Operatorë Ekonomik. Kemi një kërkesë për harmonizim të çmimeve sipas berëzës i cili është thirrur në Ligjin për marrëdhënie të detyrimeve, e cila është refuzuar nga SHSKUK. Kemi pas tri raste kur kanë kërkuar t’i ndërpresin kontratat. Mirëpo, deri me tani, nuk kemi pasur pengesa apo tejkalime të mëdha të përmasave që ndikojnë në mbarëvajtjen shërbimeve të njësive të SHSKUK-së”, thotë Selami Krasniqi shef i prokurimit të SHSKUK-së.

Edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) thonë se për shkak të çmimeve të larta ka pasur një njoftim nga Operatori Ekonomik “Beni Dona Plast” për vështirësi ne “Furnizime me artikuj ushqimor”.

“Në lidhje me vështirësitë në furnizime për shkak të çmimeve mund të themi se kemi pasur një njoftim nga Operatori Ekonomik “Beni Dona Plast” për vështirësi në “Furnizime me artikuj ushqimor-Kategoria 4-Lot 1” dhe të brendshme AQP-AK-18-012-111 e cila kontratë është nën monitorimin e AQP-së (Agjencia Qendrore e Prokurimit). Me këtë njoftim operatori ekonomik iu ka drejtuar AQP-së, mirëpo edhe neve si Autoritet Kontraktues shpenzues. Në këtë njoftim Operatori Ekonomik në fjalë ka ngritur shqetësimin se për shkak të ngritjes së çmimeve mund të mos jetë në gjendje të vazhdojë furnizimin. Me këtë është njoftuar edhe AQP si nënshkruese e kontratës”, thekson për KP Fehmi Havolli, ushtrues detyre i shefit të Prokurimit në QKUK.

Për shkak të rritjes së çmimeve, përveç këtyre institucioneve, kjo kompani, ka vështirësi në furnizim dhe të Qendrës së Studentëve dhe Ushtrinë e Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është përgjigjur nëse ka marrë ndonjë njoftim nga operatori ekonomik për vështirësi në furnizim. “Për të gjitha këto kontaktoni Ministrinë e Mbrojtjes”, ka thënë, Vëllazerim Qerimi nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Megjithatë, Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes ka thënë se deri më tash nuk ka pasur ndonjë vështirësi në furnizimin e ushtrisë me ushqim, pavarësisht procedurave juridike që janë duke u zhvilluar me operatorin ekonomik.

Rritja e çmimeve po i sfidon edhe bizneset në përmbushjen e kontratave me institucionet publike.

Skënder Krasniqi kryetar i Odës së Afarizmit të Kosovës ka thënë se disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj ndaj institucioneve të shtetit përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Oda e Afarizmit që të rishikohen kontratat për furnizime.

Krasniqi thotë se bizneset e kanë të pamundur t’i furnizojnë me mallra ushtrinë, policinë dhe spitalet.

“Ne si Odë e Afarizmit kemi kërkuar edhe nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës që të bëjë rishikimin e marrëveshjeve të mëhershme në mes të biznesit dhe institucioneve të shtetit për furnizim, qoftë për ushqim, dhe materialeve të ndryshme për komuna apo të qeverisë. Arsye kryesore është që me fillimin e pandemisë çmimet kanë ndryshuar dhe bizneset e kanë të pamundur t’i furnizojnë institucionet e Kosovës, spitalet, ushtrinë dhe policinë me ushqim dhe me pajisje të tjera me çmimet aktuale. Ne kemi kërkuar që të bëhet rishikimi, sepse të gjitha vendet kanë bërë rishikimin në bazë të ndryshimit të çmimeve. Kemi kërkuar nga qeveria, por nuk kemi përgjigje as në këtë drejtim. Thjesht Kosova po rrezikon të ketë ndërprerje të furnizimit me ushqim për spitalet, për ushtrinë për policinë për shkak të pamundësisë së bizneseve që t’i bëjë këto furnizime me çmime të njëjta si rezultat i ndryshimeve të mëdha. Disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj shtetit për shkak të mos ndryshimeve edhe përkundër kërkesave”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se i kupton shqetësimet e bizneseve, mirëpo, sipas tij kontratat të cilat nënshkruhen me klauzola ato duhet të realizohen deri në fund.

“Jemi dakorduar të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje. Megjithatë duhet të kemi parasysh se kontratat kur të merren kanë klauzolat e veta dhe duhet të qohen deri në fund. Çdoherë është rreziku i luhatjes së çmimeve qoftë për lartë qoftë për poshtë. Mirëpo, rreziku i njërës palë shndërrohet në përfitim të palës tjetër. Në rastin eventual po të kishte pasur rënie të çmimeve, asnjë operator ekonomik s’do të kishte ardhur te qeveria me thënë na ulni çmimet e kontratës s’e po mundem me i gjetur më lirë dhe kishte realizuar një fitim më të lartë. Pra, ketë rrezik e bartin të dyja palët dhe është rrezik i dyanshme. Por, megjithatë, si qeveri jemi duke parë nëse mund të bëhet diçka në lidhje me këtë temë”, thekson Murati.

Rritja enorme e çmimeve ose shkalla e inflacionit në vend për produktet esenciale ka arritur 11.2 për qind në prill derisa në muajin mars ka qenë 10 për qind.