75 Mall Live Search
18:53 / E Shtunë, 07 Mars 2020 / indeksADMonline

​Veseli fton të rinjtë e Llapit të bashkohen për ndryshime dhe ta votojnë Naim Fetahun

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot të rinjtë e Komunës së Podujevës, të cilët i ftoi të votojnë Naim Fetahun për të nisur ndryshimet e duhura dhe për t’i hapur perspektivë të rinjve llapjanë.

Veseli tha se më 15 mars rinia e Podujevës do ta bëjë ndryshimin e nevojshëm dhe do ta vulosë fitoren e Naim Fetahut për kryetar të ardhshëm të Komunës së Podujevës.

“Jam i sigurt më 15 mars me aktivitetin e juaj, me përkushtimin e juaj, me fjalët e juaja, duke shkuar shtëpi për shtëpi, do t’i vie e mira Llapit, do t’i vie e mira Podujevës me Naim Fetahun kryetar të Komunës së Podujevës. Kështu që, bëhuni bashkë të gjithë me vetëbesim shumë të madh, ka nevojë Podujeva për ndryshim”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së tha se ka largim të njerëzve, të rinjve, ndërmarrësve nga Podujeva për shkak të mungesës së perspektivës.

“20 vite këta dy kundër-kandidat kanë pasur të bëjnë me rininë. Të dy kanë qenë drejtora të arsimit, çka kanë me i sjell Podujevës pas 15 marsit, cila është perspektiva të cilën ata mendojnë t’ia sjellin të rinjve të Llapit?”, tha ai.

Kreu i PDK -së tha se të dy kandidatët e tjerë mendojnë se do të fitojnë dhe llapjanët i kanë në dorë, por tha se të rinjtë mund ta ndryshojnë këtë, duke shkuar derë më derë për të kërkuar besimin.

Para të rinjve të Podujevës, kandidati për kryetar të kësaj komuna, Naim Fetahu tha se programi i tij është i fokusuar në fuqizim të të rinjve të Komunës së Podujevës.

Ai tha se rinia është promotor i zhvillimit të shoqërisë dhe se të rinjtë e Podujevës meritojnë më mirë.

“Podujeva është lodhur shumë me një qeverisje e keqe, kemi pasur shumë keqmenaxhim në komunën tonë, qytetarët tanë kanë mbetur mbrapa me zhvillim ekonomik, nuk kemi pasur vende të reja të punës, studentët tanë nuk janë përkrahur nga komuna, kanë qenë të diskriminuar në punësim, nuk kanë pasur mbështetjen e as në sport as në kulturë, andej këtu ka lindur nevoja për ndryshim dje sa më shpejt që ndodh kjo është më mirë me të rinjtë e Llapit”, tha ai.

Fetahu tha se biznesi në këtë komunë është në gjendje të keqe, për çka premtoi se në 100 ditëshin e parë do ta caktojë një lokacion të ri, ku do ta vendosin parkun e biznesit.

Pretendenti për të qeverisur me Podujevën, ka premtuar se do të mbështesë të rinjtë e komunës, do të dyfishojë numrin e bursave dhe se do të hapin çerdhe të reja.

Votën për Naim Fetahun e ka kërkuar edhe deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu.

“Ju kisha lut të mobilizoheni gjatë këtyre ditëve që na kanë mbetur, t’ia sjellim fitoren PDK-së, të kemi vendin meritor në komunën tonë për një qeverisje më të mirë, për një zhvillim më të mirë për vendin tonë”, tha ai.

Kurse, kryetari i të rinjve të PDK-së, Donjet Bislimi, tha se vetëm të rinjtë mund ta sjellin ndryshimin në Podujevë.

“Pse ne nuk e rrezojmë një diktaturë që e ka vendosur një diktaturë, që e ka vendosur që 20 vjet, pse ne nuk bëhemi bashkë dhe dalim derë më derë t’ia shtrijmë dorën secilit të ri llapjan dhe t’i themi mjaftë kësaj diktature”, tha ai.

Zgjedhjet për kryetar të Podujevës do të mbahen me 15 mars