Veseli: Të moshuarit po ndihen të anashkaluar nga institucionet shtetërore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli përmes telefonit ka biseduar me përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës ku u njoftua për gjendjen e kësaj kategorie të shoqërisë sonë.
Veseli ka siguruar pensionistët se do t’u qëndrojnë pranë duke e shtyrë përpara deri në miratim pakon ekonomike e propozuar nga PDK-ja prej 320 milionë eurosh.
Postimi i plotë në Facebook:
“Sot bisedova në telefon me kryetarin e shoqatës së Pensionistëve Invalidor të Punës, Hamdi Tashollin si dhe me kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazin, për t’u informuar për gjendjen dhe nevojat aktuale të pensionistëve të Kosovës. Prej tyre mësova se të moshuarit, janë duke u përballur me sfida të rënda dhe ndihen të lënë anash nga institucionet shtetërore.
Në këtë kohë pandemie, janë pikërisht të moshuarit tanë, ata që kanë më së shumti nevojà «, jo vetëm për kujdesin familjar dhe shoqëror, por mbi të gjitha për kujdesin shtetëror. Ata janë më të kërcënuarit nga sëmundja e koronavirusit dhe vuajnë nga mungesa e barnave, lirisë së lëvizjes si dhe nga ngarkesa e tepërt psikologjike.
Kjo është arsyeja pse në pakon emergjente për shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, kemi parashikuar një fond të veçantë humanitar që synon të mundësoj ndihmë të posaçme për moshën e tretë. Mes tjerash, është parashikuar edhe mbulimi i plotë i kostos së tyre të barnave gjatë kësaj periudhe. I sigurova përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë t’u gjendet pranë, duke shtyrë përpara deri në miratim pakon ekonomike që kemi propozuar.
Ndryshe, në seancën e djeshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për pakon emergjente financiare prej 320 milionë eurosh, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, për t’u ballafaquar me krizën pandemike me të cilën po përballet vendi, pako kjo e cila u tërhoq nga ky grup parlamentar.