Veteranët fillojnë të mblidhen për t’u nisur drejt Hagës

Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë qytetarë të tjerë nga Kosova kanë filluar të grumbullohen për tu nisur drejt Holandës. Ata do të marrin pjesë në protestën e 14 shtatorit për të kërkuar drejtësi për ish-eprorët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Me këngë patriotike, rroba me motive ushtarake çlirimtare e me thirrjet për drejtësi, ata janë mbledhur në Komoran – rreth 25 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës.
Janë shtatë autobusë që po nisen nga Kosova.
Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të ndryshme të Evropës do të udhëtojnë në Holandë për të marrë pjesë në një protestë masive që pritet të mbahet në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale.
Mërgata shqiptare është bërë bashkë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së, në një organizim më 14 shtator – një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes.
Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të luftës, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015.
Atje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.
Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.
Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nisë paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse.