75 Mall Live Search
16:25 / E Diele, 17 Gusht 2025 / F.R

​Von der Leyen: Vetëm Ukraina mund të vendosë për kufijtë e saj – askush tjetër

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen përshëndeti gatishmërinë e presidentit të SHBA-së Donald Trump për të marrë pjesë në ofrimin e garancive të sigurisë të ngjashme me ato në Nenin 5 të NATO-s.

Ajo në një konferencë për media sot në Bruksel, tha se kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë.

“Vetëm Ukraina mund ta vendosë këtë dhe askush tjetër. Ato nuk duhet të bëhen pa praninë e saj në tryezë”, tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodomyr Zelensky.

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë me sanksionet kundër Rusisë për sa kohë që vazhdon gjakderdhja në Ukrainë dhe se Brukseli mbështet rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE.

“Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ajo.

Von der Leyen përshkroi kushtet kryesore që duhet të përmbajë një marrëveshje paqeje: garanci sigurie për mbrojtjen e Ukrainës dhe Evropës, ruajtjen e sovranitetit territorial të Ukrainës dhe lirinë e plotë për forcat e saj të armatosura – duke përfshirë të drejtën për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare dhe për të marrë ndihmë nga shtetet e tjera.

E pyetur nga mediat për qëndrimin e presidentit Donald Trump se një armëpushim është i panevojshëm dhe se lufta mund të ndalet duke përfunduar një marrëveshje paqeje pa një armëpushim paraprak, von der Leyen tha se “emri nuk ka rëndësi”.

“Ajo që ka rëndësi është efekti, dhe efekti duhet të jetë ndalimi i vrasjeve. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Pavarësisht nëse e quani armëpushim apo marrëveshje paqeje”, tha ajo.

Trump më parë ka thënë se “një marrëveshje paqeje është më e rëndësishme se një armëpushim” dhe se “një armëpushim nuk është i nevojshëm për të ndaluar luftën”.