14:43 / E Hënë, 31 Gusht 2020 / indeksADMonline

​Zemaj: AKK-ja dhe ATK-ja i mbikëqyrin çmimet në laboratorët privatë, jo MSH-ja

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përgjegjësinë për kontrollimin e çmimeve për testimet në laboratorët privatë të licencuar nga ky dikaster e ka hedhur tek Agjencia Kosovare e Konkurrencës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Zemaj tha se si ministri kanë licencuar të gjitha laboratorët privatë, që i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e kërkuara.

“Ne kemi licencuar më shumë se 120 laboratorë. Jemi në proces të licencimit edhe të tjerëve dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi për licencim të gjithë ata që do i plotësojnë kushtet dhe kriteret do të licencohen. Është kompetencë e organeve të tjera, të cilat i mbikëqyrin qoftë Agjencia Kosovare e Konkurrencës, qoftë Administrata Tatimore e Kosovës, por ne e bëjmë punën tonë profesionale dhe kemi krijuar mundësi përtej kapaciteteve tona të ketë edhe testime në aspektin e laboratorëve të licencuar privatë”, tha ai.

Ministri Zemaj këto komente i ka bërë pas vizitës në Mjekimin Qendror Intensiv në Qendrën Klinike Universitare.

Gjatë këtyre ditëve u raportua se qytetarët e Kosovës po paguajnë deri në 200 euro për një test PCR. Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se situata e pandemisë nuk guxon të përdoret për përfitime jashtë normave të ekonomisë së tregut. Hoti ka bërë thirrje që të raportohen rastet e keqpërdorimeve nga këta laboratorë.