Zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut, monitoruesit shpalosin vërejtjet

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut ishin konkurruese, të qeta dhe të mirorganizuara, por të prekura negativisht nga mangësitë ligjore dhe polarizimi politik. Misioni vëzhgues i ODIHR-it ka konstatuar në raportin fillestar se boshllëqet ligjore sjellin mangësi edhe në mbikëqyrjen e financimit të fushatës, kurse janë raportuar edhe blerje votash, presione dhe frikësime. Perceptimi për nivelin e korrupsionit, mbetet i lartë.
“Ndonëse nuk shkelën ligjin, kryetarët e bashkive dhe zyrtarët e lartë qeveritarë përuruan, vizituan ose promovuan projekte investimesh dhe infrastrukture si para ashtu edhe gjatë periudhës zyrtare të fushatës, duke minuar mbrojtjet ligjore që parandalojnë keqpërdorimin e burimeve publike dhe janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Raportet për presion të dyshuar mbi punonjësit e sektorit publik dhe frikësimin e votuesve dhe kandidatëve të opozitës, si edhe blerjen e votave nga partitë politike, ishin gjithashtu shqetësuese. Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë, megjithëse u vunë re disa mangësi në procedura, të tilla si votimi në grup dhe ndërhyrja e panevojshme nga përfaqësuesit e kandidatëve”, tha Mateo Mekaçi, shef i misionit vëzhgues të ODIHR-it.
ODIHR-i, në partneritet me përfaqësues të tjerë nga misionet monitoruese të huaja, Kongresin e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian, ka konstatuar mungesë inklusiviteti në proces. Thonë se shpikja e temave kombëtare kufizoi hapësirën për problemet lokale.
“Numri i ulët i kandidateve gra për kryetare bashkie dhe mungesa e aksesit për votuesit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit mbeten shqetësime serioze. Mungesa e mediave lokale, veçanërisht jashtë kryeqytetit, është gjithashtu një problem i madh, duke kufizuar mbulimin e çështjeve lokale… duke kontribuar në spikatje të temave kombëtare, duke polarizuar më tej mjedisin zgjedhor”, tha Gobnait Ní Mhuimneacáin, shefe e delegacionit nga Kongresi i Këshillit të Evropës, shkruan Alsat.mk.
“Ne u sugjerojmë autoriteteve lokale të sapozgjedhura të çojnë përpara axhendën e reformave të vendit të tyre në BE”, u shpreh Marta Temido, shefe e delegacionit të Parlamentit Evropian.
Monitoruesit e huaj thonë se vendi ka avancuar në raport me disa vende të BE-së në përdorimin e pajisjeve biometike për votim, por kanë vërejtur edhe pengesa në zbatimin e tyre.
Raporti final i ODIHR-it me rekomandime, do të publikohet tetë javë pas zgjedhjeve. Zgjedhjet u monitoruan nga më shumë se 600 monitoues të huaj dhe më shumë se 800 monitoues vendës.