15:38 / E Premte, 03 Korrik 2020 / indeksADMonline

​Zgjidhet kryetari i Gjykatës në Pejë dhe Gjakovë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mabjtur takimin e radhës, ku është aprovuar plotësim/ndryshimi i vendimit të KGjK-së, për miratimin e listës së gjyqtarëve për të qenë pjesë e listës së Paneleve Hetimore, me mandat tre vjeçar.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e KGjK-së, zgjodhën anëtaren e Komisionit për Rishqyrtim të Ankesave, gjyqtaren Diellza Hoxha.

“Po ashtu, pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, kanë përzgjedhur dhe emëruar kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, gjyqtarin Armend Berisha, si dhe kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, gjyqtarin Nikollë Komoni. Anëtarët e Këshillit aprovuan kërkesën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabašić, lidhur me transferimin e një gjyqtari në Gjykatën e Apelit, të cilit paraprakisht i lejohet përfundimi i një lënde penale si dhe themeluan anëtarët e Komisionit për përzgjedhjen e gjyqtarëve në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në kuadër të Gjykatës e Apelit”, thuhet në komunikatën e këshillit.

Mes tjerash, u diskutua edhe situata e gjyqësorit dhe përshtatja e punës së gjykatave në gjendje të pandemisë me ç’rast kryesuesi Çoçaj u bën përsëri thirrje të gjitha gjykatave, që organizimin e punës ta bëjnë në përputhje me rekomandimet e IKSHP-së për masat kundër virusit COVID-19, vendimit të Këshillit, Planit emergjent për menaxhimin e krizës, vendimit të Qeverisë, si dhe Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit.