Zyrtare: Donnarumma transferohet te Manchester City

Manchester City ka konfirmuar transferimin e Gianluigi Donnarumma nga Paris Saint-Germain. Portieri italian 26-vjeçar ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare, që e mban në “Etihad” deri në verën e vitit 2030.
Donnarumma, i njohur si një nga portierët më të mirë në botë, ka pasur një karrierë të pasur deri tani. Ai debutoi si 16-vjeçar me Milanin, ku zhvilloi mbi 250 ndeshje dhe fitoi Superkupën e Italisë më 2016. Në vitin 2021 kaloi te PSG-ja, ku kontribuoi në fitimin e katër titujve të Ligue 1, dy Kupave të Francës, disa Superkupave, si edhe triumfin historik në Ligën e Kampionëve këtë vit kundër Interit.
Në nivel kombëtar, momenti i tij më i madh mbetet EURO 2020, ku me pritjet e tij në penallti i solli Italisë trofeun dhe u shpall Lojtari i Turneut.
“Është një nder i madh të nënshkruaj për Cityn dhe të luaj nën drejtimin e Pep Guardiolës. Do të jap gjithçka për suksesin e klubit”, u shpreh Donnarumma.
Drejtori i futbollit, Hugo Viana, e cilësoi afrimin e italianit si një përforcim të madh për skuadrën dhe një nga portierët më të mirë në botë.