12:08 / E Hënë, 26 Dhjetor 2022 / MSH

​Zyrtari i OKB-së i bën thirrje qeverisë talebane për vendimin për të ndaluar gratë të punojnë në OJQ

Ushtruesi i detyrës së kreut të Misionit të Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Afganistan, Ramiz Alakbarov, i bëri thirrje sot qeverisë talebane që të anulojë vendimin për ndalimin e grave nga puna në organizata joqeveritare.

“Miliona afganë kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe heqja e pengesave është me rëndësi jetike”, thuhet në një deklaratë të Alakbarov, i cili u takua me ministrin afgan të ekonomisë, Mohammad Hanif.

Të shtunën, ministria e Hanifit urdhëroi të gjitha organizatat joqeveritare vendase dhe të huaja të ndalojnë punën e personelit femër deri në një njoftim të dytë.

Urdhrat nuk zbatohen drejtpërdrejt për OKB-në, por shumë programe të OKB-së në Afganistan zbatohen përmes sektorit joqeveritar.